Zbulohet një çerdhe prostitucioni në Lezhë. Pas një muaj e gjysmë hetimesh, policia e Lezhës ka mundur të zbulojë një lokal, i cili prej disa kohësh ishte kthyer në një qendër prostituimi. Pas hetimeve, uniformat blu kanë vënë në pranga katër vajza, të cilat akuzohen për “ushtrim prostitucioni” si dhe tutoren e tyre 34- vjeçare, Lula Marku.
Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Lezhës pohojnë se pas informacioneve të siguruara në rrugë operative, në një lokal afër autostradës Fushë Krujë-Lezhë (në afërsi të kryqëzimit të Zejmenit) ushtrohej aktivitet i paligjshëm, kanë organizuar një operacion, i cili u finalizua me arrestimin në flagrancë të pronares së lokalit dhe të katër vajzave. Mësohet se 34-vjeçarja e divorcuar, e kishte marrë me qira lokalin, dhe në pjesën e pasme të ndërtesës kishte ngritur ambiente prostituimi.
Sipas hetuesve, Lula Marku kishte punësuar katër vajzat si kameriere, por në fakt ato prostituonin me klientë të moshave të ndryshme që ua gjente tutorja e tyre. Po të njëjtat burime shprehen se vajzat paguheshin nga klientët nga 3 mijë deri në 5 mijë lekë për çdo seancë seksi. Blutë kanë vënë në pranga 4 punonjëset e seksit, Ejona Sallaku, Florinda Kolecaj, Dilore Lleshi e Diana Toplanaj si dhe pronaren e lokalit. Ato janë dërguar në qelitë e Komisariatit të Lezhës, ndërsa materialet në ngarkim të tyre i janë përcjellë prokurorisë për hetime të mëtejshme. Pritet që Gjykata e Shkallës së Parë e Lezhës të vendosë masën e sigurisë në ngarkim të tyre.