Kënga e sprasme e Balës
Dara qe një njeri i gjithanshëm. Ai dha ndihmesa në fusha të ndryshme si: drejtësi, filozofi, arkeologji, gjuhësi, histori, kritikë, po kryesisht shkëlqeu si poet. Në letërsinë tonë ai ka hyrë me "Këngën e spasme të Balës", të cilën me modesti e paraqet si të popullit, po që, për nga fryma aktuale, uniteti i brendshëm e tiparet e stilit, si dhe romantika që e përshkron duket që është fryt i talentit të Darës. Vepra shoqërohet nga një parathënie e një pasthënie, ku autori, shpreh synimet e veta patriotike, duke hedhur zërin e kushtrimit për shqiptarët. Poema doli në dritë më 1906 si libër më vete, pasi ishte botuar pjesë-pjesë në shtypin arbëresh. Aty trajtohen probleme aktuale të kohës, duke iu drejtuar së kaluarës historike, kohës së Skënderbeut. Fryma aktuale është edhe më e ndjeshme sesa në veprat e De Radës.
Vepra ka në bazë dy ide qëndrore: njëra ngjan me idenë e shprehur nga De rada te "Këngët e Milosaos" se nuk mund të ketë lumturi vetjake kur vuan atdheu, dhe ideja tjetër është se atdheu mund të çlirohet vetëm me luftë të armatosur. Ideja e parë shtjellohet nëpërmjet linjës së dashurisë. Së dytës i kushtohet një linjë e veçantë me tablo të gjalla nga betejat e shqiptarëve me osmanët. Ide të tjera që rrezaton ideja qendrore, janë ideja e domosdoshmërisë së një udhëheqjeje të fortë dhe ideja e bashkimit të shqiptarëve, ideja e vitalitetit të kombit, e virtyteve të larta që e dallojnë atë, ideja e luftës për ta ruajtur të pastër, duke e mbrojtur nga rreziku i asimilimit prej kombeve të tjera.
Këtë tematikë dhe problematikë, këto ide i patëm ndeshur edhe te De Rada. Elementi i ri që sjell në këtë drejtim Dara është forcimi i frymës aktuale, e cila jepet në mënyrë shumë më të drejtpërdrejtë sesa te De Rada në pjesët lirike, kryesisht rritja e frymës luftarake e karakterit aktiv militues. Ndonëse pasqyron në poemën e vet edhe tragjizmin e luftës së pabarabartë të shqiptarëve me një fuqi të madhe ushtarake si Turqia, përmes përshkrimit të tablove rrënqethëse të betejave dhe fati tragjik të herojve kryesorë, poeti e vë theksin te qëndresa e madhërishme e atdheut, te fitorja. Heroikja këtu jepet nëpërmjet tablove të betejave të cilat kanë edhe bazë objektive historike , si beteja e Beratit, dhe ajo e Valkalit. Dhe mbirja simbolike e pemëve në fund të veprës mund të kuptohet si pohim i një vitaliteti të pashtershëm, vitalitetit të një populli në luftë të përhershme me ata që duan ta shuajnë. Dara shpreh dhe tragjedinë e arbëreshëve të mërguar jashtë atdheut duke i dhënë letërsisë sonë përmes figurës së plakut Balë një tip të ri, tipin e arbëreshit të mërguar në dhè të huaj. Idetë e veta patriotike autori i ka mishëruar te personazhet kryesore, Niku dhe Pali, te personazhet e Balës dhe të Darës si dhe te Skënderbeu, i cili, megjithëse personazh episodik, luan një rol të veçantë në poemë. Niku dhe pali janë heronj të frymëzuar nga folklori, që kanë marrë veçoritë e heronjve romatikë atdhetarë. Që të dy janë trima dhe patriotë. Kështu, Niku i thotë Darës me vendosmëri:
Sa shpalosur në er' mbi kodrat
Të valoj' flamur i Arbrit
Gjersa n'vesht e mi të mbrijë
Hingëllima e kuajve t'huaj,
t'i o pris i moçëm luftrash
k'tu t'vendosur do më gjesh.
Pa asnjë ngurrim (dhe këtu paraqitet më i vendosur në krahasim me Milosaon e De Radës) ai flijon lumturinë e vet familjare për hir të atdheut. Kurse në prag të vdekjes, gëzimi për fitoren ia shuan dhëmbjen për rininë që po i këputet në lulëzim e sipër. Trimëria dhe patriotizmi i Palit shkëlqejnë në betejën e Valkalit, ku ai futet thellë në prapavijat e armikut dhe bie vetëm pasi ka arritur të zmbrapsë turqit. Ato shkëlqejnë veçanërisht në amanetin kuptimplotë që ai i lë Darës duke kërkuar që armët e tij të varen në një pemë dhe të vazhdojnë t'u kallin tmerrin osmanëve.
Të dy heronjtë kanë veçori që i dallojnë. Niku del më i plotë si personazh. Ai është i ndjeshëm dhe ëndërrimtar, poet dhe këngëtar i talentuar, fizikisht i pashëm, i aftë për një dashuri të madhe e të thellë, siç e shohim në marëdhënie me Marën, krenar dhe gjaknxehtë. Po aq krenar dhe gjaknxehtë është edhe Pali, tek i cili deri diku shfaqet sedra klasore e feudalit. Kjo ndjenjë e fundit gjen shprehje në qëndrimin e tij përbuzës ndaj Nikut, të cilin e fyen rëndë, duke e quajtur "zot i dy zallishteve", "ushtarth ballukedredhur". Këto dy personazhe i plotëson Bala që nuk është vetëm zëdhënës i autorit, po ka edhe një jetë të vetën. Në luftë ai është i pamëshirshëm me armiqtë, po pas betejës është plot ndjenja të buta njerëzore. Qëllimi patriotik i poetit shprehet edhe te figura e luftëtarit Darë, i cili e qorton Nik Petën, që kërkon të martohet me një të huaj.
Ideali atdhetar i Darës spikat veçanërisht tek figura e Skënderbeut. Heroi përshkruhet kryesisht si prijës ushtarak, strateg e luftëtar, prandaj vendoset në skena të tilla që i bëjnë të dalin në dritë më qartë këto anë të figurës së tij; në këshillin e luftës dhe në betejë. Gjithashtu, ai zbulohet në marrëdhënie me të tjerët, duke theksuar ndikimin e fjlaëve dhe veprimeve të tij mbi këta të fundit. Skënderbeu i Darës del njeri më tepër i veprimit sesa i fjalës, vigjilent e largpamës (porosia që i jep Balës për të kontrolluar rojet, qëndrimi i tij ndaj plakur Harun, të cilin nuk e lë të ikë menjëherë, duke dyshuar për ndonjë pabesi nga ana e tij, po ia dorëzon Pal Golemit që ta ruajë, fjalët që i thotë Nikut kur e lejon të shkojë për të çliruar Marën); që di të falë edhe gabime kur e kërkon e mira e atdheut (skena me Moisiun). Në luftë me armiqtë ai është i rreptë dhe i tmerrshëm, kurse në marrëdhëniet me ushtarët i dashur dhe i kujdesshëm. Dara nënvizon autoritetin e e madh të Skënderbeut përmes një skene kuptimplotë (që ka analogji me një skenë të ngjashme te "Skënderbeu i pafat" i De Radës, po, megjithatë është origjinale): mjafton një vështrim i tij që t'i bëjë të ndahen të turpëruar Nikun e Palin, kur po nisnin dyluftimin për shkak të Marës; nënvizon dashurinë e ushtarëve për heroin, dashuri e cila është aq e madhe, sa i bën që edhe mendimet e fundit para vdekjes t'ia drejtojnë atij. Megjithëse Dara nuk thellohet në botën shpirtërore të heroit, Skënderbeu i tij është i gjallë si karakter dhe, ndoshta, më i afërt me realitetin historik sesa paraqitet në veprat e rilindësve të tjerë. Te Mara megjithëse e paraqet si të huaj. Dara ka mishëruar disa nga cilësitë e gruas shqiptare. Ajo është e bukur, e urtë, e mençur, e zjarrtë dhe e qëndrueshme në dashurinë e saj. Ajo shquhet për trimëri të rrallë, çka shfaqet në kohën kur, e dorëzuar te Ballbani nga i ati i pabesë, mbrohet nga turqit me thikë në dorë. Poeti jep edhe një portret kolektiv të grave shqiptare, të cilat "tisi i nderit i mbështjell…/kanë si dasëm luftrat/andej syresh lindin trima."
Personazhet negative janë vizituar me vija të lehta, po shprehëse. Kauri Balës është njeriu që, për të kënaqur lakmitë, shkel edhe mbi dashurinë prindërore; ai është njeri i pabesë që të vret pas shpine.
Dara i jep personazhet kryesisht përmes veprimit dhe herë pas here përmes zbulimit të portretit të tyre fizik, siç është rasti i Nikut ose i Marës. Ndikimi i poezisë popullore, e cila është burim i pashtershëm për autorët arbëreshë, në këtë vepër është shumë i madh. Dara merr nga poezia popullore heronjtë kryesorë, Nik Petën dhe Pal Golemin, mjaft veçori të figurës së Skënderbeut dhe asaj të Ballabanit, ndërthur në veprën e vet shumë motive nga poezia popullore arbëreshe, si ndarja e dy të dashurëve, që të kujton legjendën e Kostandinit të vogël; motivi i rrëmbilit të vajzës nga "qeni turk"; motivi i shkëmbimit të unazës midis bashkëshortëve, kur burri niset për luftë ose vritet; motivi i vjehrrës që e qorton nusen për parandjenjat e saj të këqija; motivi i amanetit të trimit që e shoqja të martohet; motivi i vdekjes së përnjëherëshme të njerëzve shumë të afërt; motivi i mbirjes së një peme mbi varr. Po tërë këtyre motiveve ai u jep një formë origjinale, duke i lidhur ngushtë me idetë e veprës dhe duke plotësuar e forcuar ato tipare që u jep folklori heronjve të vet. Pra, në thelb, Dara mori thjeshtësinë dhe frymën e thellë patriotike të poezisë popullore arbëreshe. Në formë ai merr vargun karakteristik trokaik pa rimë larminë ritmike, figuracionin e gjallë, stilin, muzikalitetin e rallë që të tërheq dhe, nganjëherë, vargje të tëra.
Dara është një poet piktor në veprën e të cilit shkrihen muzikaliteti me ngjyrat e gjalla. Ai shquhet si në përshkrimin e tablove të ashpra të betejave, ashtu edhe në vizatimin e skenave lirike. Mjeshtërisë së poetit i shërben figuracioni i pasur dhe konkret.
Dara dallohet në përdorimin e antitezave, krahasimeve, metaforave, epiteteve, E fuqishme është antiteza e këngës së dytë midis trimave të Skënderbeut, që gëzojnë pranë zjarrit, dhe Moisi Golemit, që rri mënjanë, "Te hija e lisit të helmit". Me një antitezë tronditëse flitet për trimat e rënë në sheshin e betejës.
Krahasimet e poetit dallohen nga forca përshkruese dhe nga njomësia e ndjenjave, kurse epitetet-kompozita janë konçize. Me një epitet të vetëm, ai shpreh një karakter të tërë. Kështu, p.sh., Moisiu është "ballëfshehur", Vrana Konti "zemër e krah lisi" etj. Si të gjithë romantikët, Dara ka një ndjenjë të thellë për natyrën, të cilën e përdor si element të gjallë, që shoqëron veprimin dhe ndalet në anët e saj më të të ashpra e më të rrepta, që përputhen me madhështinë tragjike të epokës së përshkruar. Ndikimi i poezisë antike dhe i poemave kalorsiake, nga një anë e kanë disiplinuar vrullin e poetit romantik, dhe, nga ana tjetër, kanë sjellë në vepër edhe disa shenja të veçanta në ndërtimin e saj dhe në figuracion. Në këtë poemë, në krahasim me veprat e mëparshme të letërsisë arbëreshe, janë rritur fryma luftarake dhe ajo aktuale në pasqyrimin e epokës së Skënderbeut, ngjyra historike, epizmi dhe uniteti i veprimit. Ky unitet është i dukshëm edhe pse vetë poeti, për ta paraqitur veprën si popullore, mistifikim i zakonshëm ky romantik, përpiqet që të krijojë me disa shënime iluzionin e copëtimit.
Në krahasim me De Radën, Dara është më i ekuilibruar, ndonëse di të shprehë tallazet e pasioneve, sepse ka një përfytyrim më real për botën dhe jetën.
"Kënga e sprasme e Balës", në të cilën poeti derdh tërë diturinë e frymëzimin e vet, mbetet një nga veprat më të mira të letërsisë shqiptare
Pas Jeronim De Radës, Gavril Dara i Riu mbetet poeti më i shquar arbëresh. Vepra e vetme në shqip që na ka arritur prej tij, "Kënga e sprasme e Balës" është një ndër kryeveprat e letërsisë sonë.
Duke ndjekur hap pas hapi lëvizjen tonë kombëtare, Dara e mbështeti atë fuqmisht. Ashtu si De Rada, edhe Dara temën e poemës së vet e mori nga e kaluara e lavdishme e popullit tonë , e ngriti në art këtë epokë, duke e bërë shprehëse të ideve patriotike, për t'i shërbyer sa më mirë tokës mëmë dhe vëllezërve të tij të përtejdetit.
Dara është mjeshtër i madh i artit të fjalës. Vepra e tij shquhet për pasuri mjetesh artistike, për gjuhë të gjallë e të bukur e mbi, të gjitha, për mbështetjen e gjerë e të gjithanshme në folklorin arbëresh.