Ekspertët: Shpikja e Iranit duket si një avion lodër
Irani thotë se kjo është një nga arritjet më të mëdha në vend. Avioni Qaher 313 është në gjendje që të shmangë radarët, të luftojë në ajër dhe të ulet në pista jo shumë të gjata.
Por ekspertët e aviacionit kanë dyshime në lidhje me avionin, nisur nga fotografitë që kanë publikuar mediat iraniane.
Ata dyshojnë se mund të jetë thjesht një lodër, që nuk mund të fluturojë.
David Cenciotti thotë se paneli në kabinën e pilotit duket shumë i thjeshtë. Madje ai hedh dyshime nëse piloti do mund të qëndrojë brenda kabinës, që është shumë e vogël.
“Duket sikur ky pilot është brenda një avioni në miniaturë”, shkruan ai.
Ai madje hedh dyshime edhe për pjesën e pasme të avionit, duke thënë se djegia që çliron avioni mund ta shkrijë të gjithë avionin.
Ekspertët thonë se nuk kanë parë në video avionin duke u ulur ose ngritur, për të gjykuar më shumë.
Reporteri John Reed i Foreign Policy thotë se kabina duket sikur aty janë hedhur ca gjëra, një panel, një sedilje e katapultueshme, duke harruar se bëhet fjalë për një avion që duhet të shmangë radarët.
Irani pretendon vazhdimisht se ka krijuar avionë të teknologjisë së lartë, por pretendimet nuk mund të verifikohen nga ekspertët e huaj.