ELBASAN - Burime nga policia e Elbasanit zbardhin motivin e krimit të dyfishtë që ndodhi mbrëmjen e djeshme në familjen e Engjo Llucajt. Sipas policisë sherri dhe konfliktet familjare, mes 65 vjeçarit dhe të birit, kanë pasur motiv nusen italiane, të cilën 27 vjeçari e kishte sjellë në shtëpi.
Konfliktet u përshkallëzuan mbrëmjen e djeshme (30 janar) derisa në një moment 65 vjeçari ka marrë armën tip kallashnikov dhe ka qëlluar në drejtim të djalit të tij, Sokolit dhe nuses nënshtetësi italiane Giulia Baldassarre, 24 vjeçe, nga Loreto dhe rezidente në provincën Macerata. Krimi ndodhi në katin e katërt të një pallati në lagjen “ Sul Paprri”, shumë pranë qendrës së Elbasanit. Gjatë deponimit në polici fqinjët e familjes Llucaj, 24 vjeçarja ishte 4-5 muajshe shtatzënë do të jetë autopsia që do të vërtetojnë shtatzaninë e së resë. Bashkëshortja e autorit ndodhet në spitalin e Elbasanit në gjëndje kome, ndërkohë që policia pritet të dalë në një konferencë për shtyp në orët e mëvonshme.
KTHIMI NGA ITALIA E DJALIT ME NUSEN ITALIANE
Sipas burimeve të besueshme të policisë së qytetit mësohet se pas martesës me të renë italiane, djali ishte kthyer të jetonte me familjen e tij në Elbasan. Por ky fakt duket se nuk i ka pëlqyer 65-vjeçarit, i cili që nga momentet e para të mbërritjes së çiftit ka pasur ankesa për nusen e huaj. Nga të dhënat paraprake bëhet e ditur se gjatë kësaj periudhe, at e bir kanë pasur grindje të vazhdueshme rreth 24-vjeçares, e cila shpeshherë ofendohej dhe shahej nga Engjo Llucaj.
RREFIMI NE POLICI: NUK DOJA NUSE TE HUAJ NE SHTEPI
“E vrava pasi nuk doja nuse të huaj në shtëpi. Jam penduar se kisha vetëm një dritë syri, ashtu sikundër jam penduar edhe për vajzën e huaj që e vrava, por tashmë nuk di çfarë të them më shumë". Deponoi në polici 65 vjeçari. Autori dorëzoi qetësisht armën në duart e policisë me qëllim që këta të fundit ta prangosnin.
POLICIA: SOKOLI ISHTE NE BURG NE ITALI, FQINJET: FAMILJE E MIRE
Burime nga policia italiane bëjnë të ditur se Sokol Llucaj në Itali kishte qenë në burg. Një vit më parë ishte kthyer në Shqipëri dhe me vete kishte marrë dhe vajzën italiane. Fqinjët në dëshmitë e tyre për A1REPORT thanë se ishte një familje e mirë që nuk kishte pasur probleme ekonomike.
VRASJA
"Nuk kishim nevojë të na sillje një prostitutë italiane në shtëpi" - bëhet e ditur t'i ketë thënë të birit Llucaj. Për çdo grindje mes bashkëshortes dhe të atit, djali dyshohet se ushtronte dhunë sistematike ndaj këtij të fundit, në shenjë hakmarrjeje. Konflikti familjar mësohet se vijonte prej disa muajsh, dhe rasti më i fundit është shënuar mbrëmjen kur ndodhi dhe ngjarja e rëndë. Rreth orës 19:40 të mbrëmjes së 30 janarit, Engjo dhe Sokol Llucaj janë përfshirë në debatin e ashpër të radhës, për të cilën ishte njoftuar dhe komisariati policor i Elbasanit. Në momentet kur sherri mes tyre ka arritur kulmin, bashkëshortja e autorit të ngjarjes ka dalë nga shtëpia për të kërkuar ndihmën e fqinjëve. Të njëjtat burime thonë se në këto çaste, 65-vjeçari ka marrë automatikun tip Kallashnikov që mbante në banesë që nga viti 1997 dhe ka qëlluar fillimisht në drejtim të djalit. 24-vjeçarja është hedhur mbi trupin e pajetë të të shoqit, dhe në të njëjtën kohë Engjo Llucaj ka qëlluar drejt saj. Plagët e armës së zjarrit kanë qenë vdekjeprurëse, duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme të Sokol Llucajt dhe Giulia Baldassarre. Në vendin e ngjarjes policia ka sekuestruar tre gëzhoja të tipit kallashnikov.
KONFLIKTI 3 ORE PARA KRIMIT
Burime nga policia në vendngjarje bëjnë me dije se rreth 17:00 të së mërkurës (30 janar) 3 orë para krimit, në banesën e familjes Llucaj ka nisur një debat i madh dhe fqinjët lajmëruan policinë. Me të mbërritur forcat blu kanë shoqëruar babë e bir në Komisariat. Pasi kanë marrë deklaratat e të dyve dhe pasi kanë parë që mes babë e bir situata është qetësuar i ka lënë ato të lirë. Sapo kanë mbërritur në banesë, sërish babë e bir kanë nisur sherrin.