Intervista që kreu i partisë greke Agimi i Artë, Kristos Papas dha një natë më parë, ka shkaktuar reagime nga të dy shtetet fqinje.
Përgjigjet tejet ofenduese të politikanit grek, kanë bërë që të reagojë edhe Tirana zyrtare. Kështu, bëhet me dije se Ministria e Jashtme e Shqipërisë i ka dërguar Ministrisë së Brendshme një vendim, që politikani ekstremist Kristos Papas të shpallet person non grata dhe mos lejohet të qarkullojë brenda territorit shqiptar.
Në intervistën e dhënë për News24, Papas ka fyer në mënyrë të drejtpërdrejtë gjithë kombin shqiptar. Skënderbeu, tha kreu i Agimit të Artë, është me origjinë greke. “Skënderbeu është një hero i madh grek, Jorgjos Kastrotis”, tha ai, ndërsa lidhur me flamurin, simbolin tonë kombëtar, u shpreh: “Edhe ky është një flamur i vjedhur. Keni vjedhur shqiponjën dy krenare bizantine, e kuqja dhe e zeza janë ngjyrat tona. Këtë flamur e kemi në zyrat tona. Është flamur bizantin me shqiponjën dy krenare. Keni ndërtuar një shtet fallco”.
Këto e shumë të tjera, bënë që të reagonte jo vetëm shqiptarët, por edhe shteti ynë.
Gjithashtu, vlen për t’u përmendur fakti që Leka Zogu ka deklaruar se do ta hedhë në gjyq kreun e Agimit të Artë, pasi në këtë intervistë, ai tha se edhe Mbreti Zog e quante Korçën tokë greke. “Edhe ish-mbreti juaj, gjyshi i pasardhësit të fronit të Zogut, Zoti Leka, pranon në intervistën e tij në vitin 1931 sa më poshtë: “Pranoj se në të vërtetë brenda mbretërisë së shqiptarëve ka edhe vende ende greke si Korça, Himara, Dhrovjan, Gjirokastra dhe disa të tjerë. Shohim sot Princin Leka, pasardhësin e shqiptarëve, dhe nëse nuk gabohem i implikuar në trafik armësh. Shohim pra këtë trafikant të rëndomtë, i cili pati paturpësinë që muajt e fundit, në përurimin e një përmendoreje të Zogut në Tiranë, të deklaronte se kufijtë midis Shqipërisë dhe Greqisë duhen rishikuar. Për fat të keq popullsitë në veri të Greqisë janë popullsi që përbëhen nga grekë të cilët ndërruan besimin, ndërruan dhe përfituan një ndërgjegje të rreme kombëtare, ndërsa shumë mirë do të kishte mundësi që jo vetëm Vorio-Epiri, por edhe e gjithë Shqipëria të jetë një rrethinë apo një periferi e Greqisë”, u shpreh me arrogancë Kristos Papas.