Autoritetet zyrtare të rajonit Balina Basta në Serbi kanë njoftuar banorët e zonës të bëjnë kujdes, sepse një vampir vërdalliset i lirë.
Top-Channel transmeton se Sava Savanovic, përbindëshi më i frikshëm i vendit fqinj, mendohet se është i lirë pas shkatërrimit të një mulliri të vjetër që ka qenë shumë kohë më parë shtëpia e tij.
“Njerëzit janë shumë të shqetësuar. Të gjithë e dinë legjendën e vampirit dhe tani banorët mendojnë se ai është duke kërkuar për një tjetër strehë dhe për viktima të reja. Jemi të gjithë të frikësuar”, ka thënë kryetari i komunës, Miodrag Vujetic.
Mulliri ishte blerë nga familja Jagodic, por nuk është riparuar sepse familjarët nuk donin të hidhëronin vampirin, por tashmë kjo pronë është rrënuar tërësisht dhe vampiri mund të jetë i lirë.
“E di që njerëzit që e dëgjojnë këtë gjë fillojnë e qeshin, por në zonën tonë të gjithë janë të bindur se vampirët ekzistojnë. Kemi këshilluar të gjithë banorët që të vendosin hudhra në dyert e shtëpive, sepse ato e largojnë vampirin”, ka shtuar kreu i komunës.