Vietnam, krokodilët “pushtojnë” qytetin
100 krokodilë janë arratisur nga një rezervat ku mbaheshin të bllokuar dhe po terrorizojnë një qytet të tërë në Vietnam.
Bëhet fjalë për një skenar të denjë për filmat horrorë hollivudianë. “Arratisja” e amfibëve gjigantë ndodhi në qytezën Dinh Binh në jug të Vietnamit. Sipas autoriteteve, krokodilët mundën të arratiseshin nga rezervati me 540 syrësh, pas reshjeve të shumta të shiut që bënë që niveli i ujërave të rritej aq shumë sa të tejkalonte murin rrethues.
Nga kjo kanë përfituar 100 krokodilë, që kanë gjetur strehë në moçalin aty afër, por edhe në qytet. Amfibët e parë u panë në shkollën fillore të qytezës dhe menjëherë u dha alarmi. Rrugët e qytetit u boshatisën dhe nisën të patrulloheshin nga grupet e emergjencave civile që këshilluan banorët të shmangin qendrimin në katet përdhese të godinave.
Pas një operacioni të gjërë, këto grupe mundën të kapin 60 krokodilë, që të gjithë nëpër rrugët e qytezës, ndërsa 40 të tjera janë ende të lirë. Nga frika e ndonjë tragjedie, autoritetet urdhëruan mbylljen e të gjitha shkollave.
Krokodilët e arratisur janë ndër më të rrezikshmit e këtij lloji, disa metra të gjatë dhe me peshë që shkon nga 60 deri në 70 kilogram.