Stresi ushtarak dëmton trurin
Stresi që godet ushtarët në frontin e luftës ka pasoja negative në kapacitetet e tyre të përqendrimit dhe mund të gjenerojë probleme afatgjata, duke rritur vështirësinë në riintegrimin në shoqëri.
Këtë e tregon një studim i Universitetit të Amstërdamit të kryer mbi disa ushtarë të NATO-s që janë kthyer së fundmi nga Afganistani. Rezultatet janë publikuar në revistën e Akademisë Amerikane të Shkencave, “PNAS”.
Studiuesit holandezë, të udhëhequr nga profesori Guido van Wingen, kanë ekzaminuar 33 ushtarë të NATO-s që kanë marrë pjesë për 4 muaj në misionin ISAF, duke i krahasuar me 26 kolegë që nuk kishin qënë kurrë në zona lufte.
Përmes testeve neuropsikologjike dhe teknikave të avancuara të rezonancës magnetike është bërë e mundur të caktohet se ekspozimi ndaj stresit tipik të luftës prodhon efekte negative në qarqet cerebrale të lidhura me të ashtuquajturat funksione ekzekutive, që rregullojnë proçeset e planifikimit dhe të aktivitetit vendimmarrës bazuar në vëmendjen dhe në kujtesën afatshkurtër.
Përleshjet e armatosura, patrullimet dhe shpërthimet e papritura në veçanti, sulmojnë integritetin strukturor të një pjese të trurit, duke influencuar negativisht funksionimin e tij dhe duke ndërhyrë në kapacitetin e ushtarëve për të ruajtur vëmendjen gjatë aktiviteteve ushtarake të rëndësishme.