Denisovanët, specia që populloi Azinë mijëra vite më parë
Shkencëtarët dhe antropologët rindërtuan gjenet e një popullsie të zhdukur mijëra vite më parë, të afërm me ne, që ata i quajnë Denisovanë. Rindërtimi i gjeneve të tyre u bë në bazë të një fosili të gjetur në Siberi. Shkencëtarët zbuluan para disa muajsh mbetjet skeletore të një gishti, që nuk ngjasonte as me gishtat e njerëzve të sotëm dhe as me ata të neandertalëve. Pyetja që lindi më pas ishte: kush ishin ata?
Sipas antropologëve, Denisovanët nuk ishin as si njerëzit e sotëm, as si neandertalët, por një grup krejtësisht tjetër. Në këtë përfundim u arrit pas studimit të skeletit të një gishti dhe mbetjeve fosile të dy dhëmbëve të gjetur po në Siberi, në një lokacion që mendohet se është përdorur nga Denisovanët si varrezë.
Kaq mjaftoi për të mësuar aq sa teknologjia e sotme e analizimit të gjeneve dhe ADN-së na lejon. Sipas këtyre analizave, Denisovanët kanë jetuar 30 deri në 50 mijë vjet më parë. Nga skeleti i gishtit studiuesit kanë hartuar edhe identitetin e personit që i përket. Sipas tyre, gishti i përket një femre me ngjyrë, me flokë dhe ngjyrë të kafenjtë të syve.
“Duke krahasuar gjenet e njeriut të sotëm me ato të të afërmve të tij në pemën e evolucionit, rezulton se ka mbi 100 mijë mutacione gjenetike që shumica e njerëzve të ditëve të sotme ndajnë mes njëri-tjetrit, por që mungojnë tek të afërmit e pemës së evolucionit”, thotë Svante Paabo, biologu udhëheqës i studimit.
Sipas grupit të shkencëtarëve, analizat e gjeneve tregojnë se paraardhësit tanë dhe Denisovanët duhet të jenë ndarë nga njëri-tjetri rreth 700 mijë vjet më parë. Megjithatë, kjo ndarje nuk ka qenë e prerë. Prania e gjeneve të tyre në ADN-në e banorëve të sotëm në Azinë Juglindore, sipas studiuesve, tregon që Denisovanët kanë pasur lidhje me banorët indigjenë vendas.
Dihet ende shumë pak për Denisovanët, që mendohet se kanë jetuar në Azinë Lindore dhe gjurmët e ADN-së së tyre gjenden në 3 deri në 5 për qind tek banorët e sotëm të vendeve jug-lindore të Azisë.
Si njofton TCH, studimi është publikuar në revistën “Science”