Vdekja e një personi nuk përbën detyrimisht një lajm, por një tragjedi e rrallë kanadeze u shndërrua në kryelajm të kronikës së zezë të ditës, për shkak të një dinamike veçanërisht të dhimbshme.
Një 30-vjeçare ndërroi jetë pikërisht në atë që duhet të ishte dita më e lumtur e jetës së saj, në ditën e dasmës.
Pak orë përpara se të lidhte kurorë me të dashurin e saj të disa viteve, gruaja shkoi në një vend piktoresk, pranë një ujëvare në një resort turistik, në mënyrë që të bënte disa fotografi për t’i pasur kujtim.
Në një prej këtyre fotografive, ajo duhet të pozonte në natyrë, pranë një lumi të rrëmbyer, me një ujëvarë në sfond.
Ndërsa po pozonte, e reja ndieu se diçka po e tërhiqte. Ajo pati kohë të thonte vetëm: “Po rrëshqas, po rrëshqas”, përpara se fustani që kishte rënë në kontakt me ujin, ta tërhiqte edhe atë brenda në lumë.
Ndonëse sipas familjarëve ishte një notare e zonja, e kufizuar nga fustani i nuses, pesha e rëndë e tij mbi trup pas lagies dhe për shkak të ujrave të turbullt, nusja gjeti vdekjen brenda pak minutash, në sytë e familjes dhe dhëndrit të saj të tmerruar, që pati kohë vetëm të shikonte se si ajo fundosej dhe transportohej tej nga rrjedhja e fuqishme.
Disa orë më pas, polumbarët arritën të gjenin trupin e pajetë të 30-vjeçares disa kilometra më poshtë.
Të mbledhur për dasëm, familjarët u bashkuan papritur në dhembjen e mortit, me vendimin që funerali i saj të organizohej ashtu siç e reja kishte ëndërruar atë ditë, e veshur me një fustan nuseje.