Vrasja në Krrabë, 18-vjecarja: Më përdhunoi që 14 vjeç, në shtëpinë time
Më kërcënonte se do më vriste nëse unë do të largohesha prej tij. Më ka përdhunuar në shtëpinë e babait, kur njerëzit e familjes nuk gjendeshin aty. Natën e ngjarjes më telefonoi dhe më tha që do të më hiqte qafe nëse nuk dilja ta takoja dhe të shkoja me të. E prita sa mbërriti me taksi. Sapo zbriti pranë shtëpisë dola me automatik në dorë dhe e qëllova. Ai do të më trafikonte në Kosovë...". Nazmije Visha, 18-vjeçarja e cila qëlloi për vdekje përdhunuesin e saj Fiqiri Muça, u ka rrëfyer hetuesve katër vitet e tmerrit që përjetoi nga abuzimet seksuale dhe kërcënimet me jetë.
Vajza, e cila është përdhunuar nga kunati i motrës që kur ishte 14 vjeç, kohët e fundit ishte fejuar me një djalë nga Vaqarri i Tiranës dhe dukej sikur jeta e saj kishte marrë një tjetër rrjedhë. Por, kërcënimet e babait të gjashtë fëmijëve dhe përpjekjet e dëshpëruara të tij për ta mbajtur vajzën të lidhur pas vetes, e kanë shkatërruar lidhjen e saj. Vajza u ka thënë hetuesve se Fiqiri Muça pak kohë më parë kishte telefonuar të fejuarin e saj, duke e kërcënuar se nëse nuk hiqte dorë prej saj, do ta vriste. "Më telefonoi i fejuari dhe më tha që ki kujdes, se Fiqiriu do na bëjë gjëmën. Pas shumë kërcënimesh ai u largua nga unë, ndërpreu çdo marrëdhënie dhe iku drejt Italisë. Nuk po duroja dot më. Ai më kërcënonte se do të më zhdukte. Më nxiu jetën mua dhe pjesëtarëve të familjes time, ndaj e vrara", - shprehet vajza, ndaj të cilës rëndon akuza e vrasjes me dashje dhe armëmbajtjes pa leje.
AKTI I FUNDIT
Duket se Nazmije Vishës nuk i kishte mbetur asnjë alternativë tjetër. Kishte duruar dhunën seksuale, rrëmbimin dhe kërcënimet me jetën e saj e pjesëtarëve të familjes. Kishte përjetuar dhimbjen e pashoqe të vetëhelmimit të të ëmës, e cila duket se nuk kishte duruar dot rrëmbimin e së bijës nga Fiqiri Muça. Në fund kishte humbur dhe të fejuarin, që e kishte braktisur pas kërcënimeve që i binte 45-vjeçari. Për të gjitha këto shkaqe dhe frika e ndonjë trafikimi të mundshëm e ka shtyrë vajzën drejt aktit të vrasjes. "Fiqiriun e kam njohur nëntë vite më parë, kur babai e solli në shtëpi dhe na e prezantoi. Ai ishte njohur me babain teksa shisnin dru dhe duke qenë se jetonte larg në Burrel e mbajtëm në shtëpi. Ai më pas na kërkoi dorën e motrës për të vëllanë dhe kështu lindi miqësia", - shprehet vajza. Nazmija u ka thënë hetuesve se makthi për të nisi që kur ishte 14 vjeç, kur u përdhunua nga Fiqiri Muça e prej asaj kohe nuk ka patur një ditë të qetë, pasi ai e kërcënonte vazhdimisht se do ta vriste nëse largohej prej tij. Madje, kulmi ka arritur kur ai e ka rrëmbyer në maj të 2012 dhe e ka mbajtur peng për 12 ditë. E reja u ka thënë hetuesve se pasi bëri denoncimin për rrëmbimin, u detyrua të firmoste një deklaratë se ishte larguar me dëshirë me kunatin e motrës. Duke e parë si mundësinë e fundit për të shpëtuar nga makthi i kërcënimeve dhe shantazheve, Nazmija ka vendosur të takohet me Muçën. Viktima ka mbërritur në fshatin Krrabë pranë shtëpisë së xhaxhait të Nazmije Vishës, ku kjo e fundit e priti me breshëri plumbash, duke i marrë jetën. Vajza pritet të dalë para Gjykatës së Tiranës për t'u njohur me masën e sigurisë. (bw)