Zelandë e Re, aktivizohet vullkani i fjetur
Një vullkan i fjetur prej mëse një shekulli në Zelandën e Re është zgjuar duke shpërndarë re hiri në qiell dhe duke çoroditur fluturimet dhe trafikun rrugor.
Mount Tongariro, një nga tre vullkanët në qendër të Ishullit Verior, u bë aktiv pak momente para mesnatës, me orën lokale, me shpërthime të fuqishme që kanë zhvendosur gurë të mëdhenj.
Maja prej 1.978 metrash është një park kombëtar dhe shpesh herë është i populluar nga alpinistë. Gjithësesi, nuk ka informacione për viktima dhe dëme materiale.
Disa dëshmitarë e kanë cilësuar si dramatike skenën kur vullkani është aktivizuar. Mount Tongariro shpërtheu për herë të fundit 115 vjet më parë dhe shkencëtarët thanë se nuk e dinin nëse ky shpërthim ishte një rast episodik apo një sinjal për më shumë aktivitet.
Ekspertët thonë se janë shumë të surprizuar nga kjo që ndodhi, ata kishin regjistruar një aktivitet të ulët sizmik në javët e fundit, por nuk prisnin një aktivizim të vullkanit.
“Kjo mund të jetë një periudhë e qetë dhe ne duhet të presim që vullkani të riaktivizohet sërish. Prandaj po e ndjekim situatën nga afër”, deklaroi vullkanologu Michael Rosenberg