Një ngjarje e rëndë ka tronditur banorët e fshatit Arrë në Dukagjin, ku babai ka vrarë vajzën e tij 14-vjeçare dhe më pas është vetëvrarë.
Burime të policisë bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur pasditen e sotme në komunën Temal, një nga zonat më të thella të Dukagjinit.
Sipas policisë, 45-vjeçari Mirash Bregu ka qëlluar me armë zjarri vajzën e tij adoleshente, Marjana Bregu, për arsye ende të panjohura
Mësohet se viktimat kanë qenë në shtëpi në momentin e ngjarjes, ndërkohë që policia është lajmëruar nga banorët e zonës, transmeton BW.
“Shtetasi Mirash Bregu, 45 vjeç, brenda në banesën e tij ka vrarë me armë zjarri vajzën e tij, M. Bregu, 14 vjeç e më pas 45- vjeçari ka vrarë dhe veten. Një informacion më të plotë në lidhje me ngjarjen në fjalë do ta japim, pas mbërritjes së grupit hetimor në vendngjarje dhe pas kryerjes së veprimeve të duhura hetimore e procedurale për zbardhjen e rrethanave e motivit të krimit”, bëri të ditur policia e Shkodrës.