Marjana e vogël ishte një gjeni. Babai e qëlloi pas shpine, ndërsa vraponte
Marjana e vogël nuk donte të rrinte në bjeshkë me bagëtitë. Ajo ishte një gjeni në mësime, kishte pasion këngën dhe aktrimin. Por tanimë Marjana nuk jeton më. Babai i saj, Mirash Bregu, ia preu jetën në mes.
Vogëlushja ishte nisur bashkë me babain dhe dy vëllezërit e saj, Zefin dhe Marselin për në bjeshkët e Temalit. Aty të tre fëmijët kishin bërë plan të arratiseshin për tu kthyer në Bardhaj, në Shkodër.
Por babai i pikasi. Dy vëllezërit kanë treguar për Panorama momentin horror kur babai vrau vajzën.
“Babai na kishte diktuar dhe na kishte ndjekur. Pak metra para se të arrinim tek liqeni, ai u shfaq pas nesh me automatik në krah, duke na urdhëruar që të ndalonim. Ishim të tre të kapur për dore fort prej frike. Kur babai u afrua tek ne, na bërtiti që të ktheheshim në fshat. Marana na e lëshoi dorën dhe na tha që të ktheheshim ose të shkonim në thellësi. “Ikni ju”, na tha babai dhe ne bëmë më tutje. Pastaj i tha Marjanës që të kthehej, por ajo ia futi vrapit. Atëherë ai mori shënjestër dhe e qëlloi Marjanën. Ajo ulëriti fort, por vazhdonte të vraponte. Babai i thirri sërish të kthehej, por ajo hiç. Atëherë ai i gjuajti prapë, kësaj here dy herë dy të shtëna njëra pas tjetrës,” rrëfejnë fëmijët.
“Ne ishim disa metra më larg, të fshehur. Shtangëm prej frike. Pastaj pamë babain që ndenji pak sekonda, nxori celularin dhe nuk e dimë se ç’bëri me të. Veç pas një minute dëgjuam një breshëri dhe pamë babain të shembur në tokë”.
Ndërkohë Marjana e vogël është varrosur në një varr me të atin. Miqtë e vogëlushes thonë se ajo ishte një gjeni në mësime, shumë e dhënë pas aktrimit dhe këngës. Një mik i saj thotë se ajo këndonte në korin e kishës dhe merrte pjesë në aktivitetet e saj. Ishte shumë e mirë edhe në sport dhe ishte një fëmijë shumë i dashur.