A është Gjergj Kastrioti Hero i të gjithë Shqiptarëve? (Pj. I)
Pjesa e parë
Gjergj Kastrioti, i vlerësuar si ''një ndër më të mëdhenjtë e të mëdhenjëve'', është Heroi Kombëtar i Shqiptarëve. Asnjë shqiptar tjetër nuk arriti t’i afrohet veprës madhore Kastriotane, megjithatë nuk është heroi i të gjithë shqiptarëve. Kleri mysliman dhe besimtarët seriozë - viktima të ideologjisë antishqiptare - kanë probleme të pafundme me KryeHeroin Tonë. Kthimi i Gjergjit në vëndlindje dhe refuzimi i islamit si fe dhe si pushtim ka ngritur male pakënaqësie tek hoxhallarët dhe besimtarët e sotëm saqë arrijnë ta krahasojnë edhe me kryearmiqtë tanë.
Ndërkohë, një ndër shqiptarët që ka sakrifikuar më shumë në shekujt e fundit është Adem Jashari, i cili nderohet dhe do të nderohet nga të gjithë shqiptarët pa përjashtim, sepse fjalë të parë dhe të fundit kishte Atdheun dhe Lirinë e tij, si Gjergj Kastrioti.
A mund të urrehet një njeri që Lufton Pushtimin dhe Mbron Lirinë?
A është Gjergj Kastrioti Hero i të gjithë Shqiptarëve?
Në lidhje me këtë temë kam marrë mendimin e disa intelektualëve dhe bashkëpunëtorëve të Zemra Shqiptare, të cilët i falenderoj nga Zemra Shqiptare.
Visar Zhiti, Shkrimtar, Gazetar, Publicist. Autori i ‘’Rrugët e ferrit’’ dhe ‘’Si shkohet në Kosovë’’ është një ndër krijuesit më të shquar të poezisë dhe prozës moderne shqipe. Zhiti është nderuar me shumë cmime në Itali dhe Shqipëri. Visari i Kombit ishte i burgosur politik por kurrë nuk e humbi njeriun kombëtar, e ditur, mirënjohës dhe fisnik:
Nuk e di me ç’arsye mund të mendohet ndryshe dhe pse? Do të më dëshpëronte dyshimi, por ai mposhtet nga e vërteta e madhe dhe e pathyeshme. Nuk e vendosim dot veç ne, të gjallët e tanishëm, se populli janë dhe brezat e shumtë që kanë ikur dhe brezat e pafundmë që do të vijnë dhe as e zhbëjmë dot që Gjergj Kastrioti Skënderbeu është dhe mbetet Heroi Kombëtar i të gjithë shqiptarëve, e kanë vendosur shekujt, historia e atdheut, fati ynë kolektiv, gjaku, luftrat dhe paqja, ideali dhe strategjia e kombit, etj. Vegimet skënderbejane paraprijnë vazhdimisht.
Shqipëria bën pa secilin nga ne, por nuk bën dot pa Skënderbeun. Ai bëri vetveten tek të gjithë ne dhe ne e bëmë atë siç na duhej, siç deshëm. Është identitet, ideal, qëllim, frymëzim. Është tragjedia e popullit dhe triumf i tij, përvoja e madhe e bashkimit, e betejave për liri, kundër çdo pushtuesi dhe mik i çdo populli, kryekomandanti i detyrave supreme.
Nga çdo shqiptar ai mori dëshirën dhe forcën dhe çdo shqiptari i dha misionin dhe vlerën e këtij misioni. U them myslimanëve të mij se në Atë është dhe emri mysliman “Skënderbej”, ashtu si dhe për të krishterët e mij është dhe emri “Gjergj ynë”. Ai bashkon fetë për ne. Na bashkon përjetësisht ashtu siç i bashkoi shqiptarët për të qenë të lirë, pa pushtues, për të ribërë vetveten, kombin dhe për t’u njohur nga bota mbarë. Me të, prej Tij. Emri i Tij rikrijoi identitetin dhe përgjegjësitë kombëtare, ndërgjegjen kolektive, kujtesën historike, Gjergj Kastrioti Skënderbeu përveç luftëtarit dhe prijësit tonë të gjithkohëshëm, krahas kryeqytetarit shqiptar bëri dhe qytetarin europian.
Emri i Tij është në ninananat tona dhe në elegjitë, në epos dhe në legjenda, në romane, jo vetëm historikë, por edhe në ato modernë, edhe kur e çmitizojnë, e bëjnë më njeri, më të rrokshëm. Zhvarrosja e tij sikur donte të kundërshtonte vdekjen. Prandaj Ai është dhe në emra malesh, rrugësh e sheshesh, madje dhe nëpër botë, me shtatore si një nga strategët më të mëdhenj të çdo kohe “si mbrojtës i paepur i qytetërimit europian”. Në qoftë se ka ndonjë midis nesh që dyshon në këto, le të pyesë një italian çfardo, francez, gjerman, zvicerian, etj, grek a serb, që hërë pas here e duan ta kenë dhe të vetin. Le të pyesë dhe përtej Europës, në Amerikë. Një kongresmen në SHBA ka thënë: “Pa Skënderbeun edhe Amerika do të ishte ndryshe”. Ky është një koncept tashmë që nënkupton Shqipërinë.
Nuhi Ismajli, Studiues, Kritik Letrar. Studiuesi dhe kritiku dardan, autori i "Vepra e Gjon Buzukut", ka botuar disa libra tepër të cmuar për kulturën dhe identitetin kombëtar, gjithashtu ka botuar qindra artikuj në mediat kryesore shqiptare. Disa nga materialet e Ismajlit kemi nderin t’i lexojmë edhe këtu në Zemra Shqiptare:
Gjergj Kastrioti është pa dyshim heroi më i madh i të gjithë shqiptarëve. Ai ashtu është konsideruar që nga koha e tij e gjer më sot. Kështu e kanë çmuar të gjithë shqiptarët, pavarërësisht nga përkatësia fetare. Gjergj Kastriotin e kanë quajtur hero më të madh të shqiptarëve, shqiptarët e besimit katolik. Kështu e kanë quajtur edhe shqiptarët e besimit ortodoks. Po kështu e kanë quajtu edhe shqiptarët e besimit mysliman. Marrim parasysh veprat e shkruara nga shqiptarët e këtyre besimeve fetare. Sami Frashëri, i cili njohu mirë kulturën orientale dhe i kontribuoi shumë asaj dhe jetoi gjatë në qendrën e P. O., Gjergj Kastriotin e vlerësoi shqiptarin më të denjë, i cili, më shumë se çdokush tjetër luftoi për Shqipërinë dhe kombin shqiptar. Në veprën e tij: "Shqipëria...", ai shkruan: "...themi prapë me hidhërim zemre që: Shqiptarët kanë punuar gjithëmonë për botën e jo kurrë për vete. Vetëm një Skënderbe ka punuar, në kohërat të shkuara, për Shqipërinë e vetëm ai është me të vërtetë mburrje për Shqipërinë".
Ka shumë që deklarohen si shqiptarë, të cilët nuk e duan dhe e mohojnë Gjergj Kastriotin dhe famën e tij, si kryehero shqiptar. Të tillët deklarohen si shqiptarë, por nuk janë shqiptarë. Ata janë me origjinë joshqiptare ose aq shumë të tjetërsuar nga ideologji antishqiptare, sa ta mohojnë edhe kryeheroin tonë kombëtar, Gjergj Kastriotin, i cili, më shumë se çdokush tjertër luftoi për Shqipërinë dhe kombin shqiptar. Vepra kombëtare shqiptare e Gjergj Kastriotit, është bërë edhe shembulli i luftës çlirimtare, në botë, vlerë së cilës iu kushtuan veprat e llojeve të ndryshme nga krijuesit e ndryshëm botërorë.
Agim Gashi, Këngëtar, Poet. Me kombin e për kombin, me Kastriotin e Rugovën, me lirinë e pa skllavërinë. Gashi është një ndër atdhetarët më të shquar që frymojnë sot. Kënga e tij e shkruar dhe e kënduar ka bërë të pavdekshëm qindra heronjë e martirë, ndërsa fjala:
Gjergj Kastrioti - Skënderbeu është hero legjendar dhe i pa përsëritshëm i të gjithë shqiptarëve. Deshi apo nuk deshi dikush ta pranojë një të vërtetë të patjetërsuar, është punë e tyre, por, çdo njeri me një pikë gjak shqiptari nuk mund ta vejë në pyetje Skënderbeun si njeriun që tokës shqiptare i dha emër duke e mbrojtur atë plot 25 vite nga robërimi osmanlli, i dha emër luftrave të mëtejme kundër hordhive të të gjitha ngjyrave që i vërsuleshin tokave të arbërit, i dha emër lirisë, drejtësisë, njerëzores dhe sublimes patriotike për çdo njeri shqiptar kudo që gjenden në botë. Kudo dhe nga të gjithë me emrin e Skënderbeut mbusheshin me dashuri për atdheun, edhe nënat kur përcillnin bijtë e tyre në mbrojtje të atdheunt u thonin:"Kujto birë Skënderbenë", edhe motrat e nuset u jepnin urata djemëve tanë në emrin e Skënderbeut. Këtij strategu të luftës, Heroit Legjendar të kombit i kënduan barinjët, malsoret, këngëtarët jug e veri, rapsodët, ndersa mijëra poetë e shkrimtarë të njohur kombëtar e botërorë i thurren vargje e legjenda luftës së Skënderbeut në mbrojtje të atdheut nga hordhitë e ushtrisë turke. Skënderbeun e njef historia kombëtare por edhe ajo botërore kudo në botë. Epoka e kohës së Skënderbeut mësohet edhe në shkollat e mbarë botës dhe do të ishte tejet mangësi kjo epokë t’u shpjegohet nxënësve pa kryepersonazhin e kohës, legjenden shqiptare Skënderbeun.
Zeqir Lushaj, Shkrimtar, Gazetar, Redaktor i Zemra Shqiptare. Ndonëse bashkëpunimi me Lushajn ka lindur vonë, dashuria e sinqertë për kombin na ka miqësuar në kohë rekord. Autori i shumë librave, Tropojani i Amerikës nuk njeh kthesa e metaforizma kur bëhet fjalë për kombin dhe legjendarin, por vetëm drejt:
-JO, -I dashur Ilir, Gjergj Kastrioti, nuk është Hero i të gjithë shqiptarëve!
Pse nuk është, dhe, i të cilëve shqiptarë nuk është?
1. Në radhë të parë, nuk është Hero, i atyre shqiptarëve që nuk dijnë dhe as nuk e duan Heroizmin. Dhe këta nuk janë të pakët. Gjergji, e ka ditur këtë punë që në kohën e Tij, ka ditur edhe të mbajë qendrim. Nuk janë të paktë ata, që, siç thotë populli, heroike, e dijnë vetëm “copën e bukës”.
2. Nuk e duan, as duan tia degjojnë emrin Gjergj Kastriotit, edhe ata të cilët kanë akoma në shpirt idealet e pushtuesit e dhunuesit tonë shekullorë, Turqisë dhe paragrafët më të errta e më të diskutueshme e të denueshme të moralit Islam. E. këtu, kuptohet, në ballë të kësaj “mosdashnie”, e aq me keq , në ballë të kësaj urrejtje, janë disa injorantë (demek) hoxhallarë, që më zi se kokën, kanë lidhur trupin e shpirtin me çallmën erë-vdekje të atyre që na e sollën e na e lanë në derë, tash ma se 500 vjet. E, këtu, të vjen keq per “xhematin”, se sa per hoxhën, me kohë “e ka marrë ferra uraten”.
3. Gjergj Kastrioti, nuk është as nuk mund të jetë Hero, i njerëzve të shitur,i agjentëve jo të paktë të të gjitha sherbimeve të huaja i servilëve e matrapazëve, që, per fatkeqsinë tonë kombëtare, i patëm, dhe me sa duket, i kemi edhe sot me shumicë.
4. Nuk e duan Gjergjin, as do ,”demek udhëheqësa”, që duket u është mbushur mendja se mund ta zevendesojnë Atë dhe të shfaqen edhe më Heronj, edhe më të Lavdishem, më Kombëtar!! E, më konkretisht, ATA, të cilët janë gati të rishikojnë e rindërtojnë historinë, vetem të mos na i mbetet qefi Vellait të madh të Anadollit !!
5. Me që po flasim per shqiptarë, në këtë rast, po i lë jashtë ketij gjykimi, ata që në fakt jetojnë në shqiperi, por nuk janë shqiptarë as me gjak, as me histori e traditë. Dhe, kjo mund të jetë e keqja e tyre më e vogël. Ndoshta, edhe pikrisht per të goditur dhe figurën e Gjergjit, jo pak prijës tanët, janë gati ti shpallin Shqipërinë edhe Kosovën multietnike !! Hahahahaha !!
6. Dhe e fundit, që ti permbahem edhe orjetimit te kryeredaktorit, per mos kalim rradhësh, them se, janë kundër Gjergj Kastriotit edhe ato që janë kundër Gjergj Fishtës, i cili, duke folë per këtë figurë të patjetërsueshme të Kombit, ka thënë:
“…Skanderbegu me at trimni e rreptsi me t’cilen luftoj kundra turqve, qi ishin mysliman, luftoj edhe kundra venedikasve qi ishin t’krishtenë. Prandej t’gjith shqyptarët e vërtetë, pa ndërlikim partiet e besimit, do ta nderojnë Skanderbegun si nji fatos t’komit e do t’u bahet nam me kremtue emnin e punët e tij. Skanderbegu asht ideali i liris e i pavarsis s’Shqypnis”.