Kryesocialisti Rama ka reagur përmes Tuiterit në lidhje me fjalën e kryeministrit Berisha në simpoziumin e organizuar me rastin e 92-vjetorit të shpalljes së Tiranës kryeqytet.
“Festojnë 92-vjetorin e Tiranës kryeqytet ata që e penguan barbarisht për synime politike e pastaj ia vodhën votat ditën për diell. Hipokrizia në pushtet!”, shprehet Rama në mesazhin e tij të shpërndarë në rrjetin social.
Berisha: Tirana, ëndrra e shqiptarëve
Tirana feston sot 92-vjetorin e shpalljes kryeqytet i Shqipërisë. Bashkia e Tiranës ka organizuar sot një simpozium me këtë temë, në të cilin merrte pjesë edhe kryeministri Berisha, kryebashkiaku Basha, krerë të komuniteteve fetare, pjesëtarë të familjeve të vjetra tiranase dhe studiues të ndryshëm.
Në fjalën e tij, kryeministri Berisha u shpreh se Tirana është kthyer sot në zemrën dhe trurin e kombit, por mbi të gjitha ajo mbetet ëndrra e të gjithë shqiptarëve.
“Përzgjedhja e Tiranës si kryeqytet ishte një nga aktet më madhore në përpjekjet e shqiptarëve për të krijuar një shtet të lirë. 92 vjet më parë, Sulejman Delvina, Ahmet Zogu dhe anëtarë të tjerë të Kongresit të Lushnjes morën një nga vendimet më të mençura të të gjithë historisë sonë, vendimin për ta bërë Tiranën kryeqytet të shqiptarëve”, tha Berisha.
Kreu i qeverisë u ndal në ngjarjet gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore , duke theksuar se klasa politike e asaj kohe nuk diti kurrë të hynte në zemrat e banorëve të Tiranës.
“Tirana ra në kthetrat e një grupi, një bande barbare, e cila u izolua në Bllok dhe nuk u integrua kurrë në zemrat e tiranasve. Por në rastin e parë që iu dha, Tirana përmbysi diktatorin dhe i dha partinë e parë demokratike Shqipërisë”, tha ai. / Gazmira Ndoja