Tolstoy ka 200 pasardhës nëpër botë
Në dhjetëra vende të botës jetojnë rreth dyqind pasardhës të Lev Nikolayevich Tolstoy (1828 - 1910) të cilët çdo dy vjet bëhen tok me qëllim që të shihen e të shoqërohen, ka deklaruar djali i stërnipit të shkrimtarit të njohur Tolstoy.Siç njofton agjencia informative fetare (VIA), në Rusi jetojnë rreth njëzet pasardhës të Tolstoy, në Suedi jetojnë rreth njëqind, derisa në Itali, Uruguai, Brazil, Amerikë dhe Francë jetojnë të tjerët.
Nuk janë të gjithë ortodoksë, ka edhe katolikë, por edhe protestantë. Vladimir Tolstoy, të cilin presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, kohët e fundit e ka emëruar si njërin nga këshilltarët e tij, thotë se disa nga pasardhësit gjatë vitit 1945 janë kthyer nga Jugosllavia e atëhershme në Rusi. Vladimir Tolstoy tash disa vjet është drejtor i memorialit “Jasna Poljana” (“Fushë e qartë”), i cili gjendet rreth 200 kilometra larg Moskës, e në të cilin vend shkrimtari i njohur ka kaluar pjesën më të madhe të jetës.
Vladimir Tolstoy deri para disa vjetësh i ka bërë thirrje Kishës Ortodokse Ruse që edhe një herë t’i shqyrtojë rrethanat nën të cilat stërgjyshi i tij në vitin 1901 është anatemuar dhe larguar nga kisha. Ky largim, siç deklarohet, i ka ndarë një pjesë të intelektualëve rusë nga kisha dhe ajo distancë vazhdon edhe sot.
Priftërinjtë rusë nuk ia këshillojnë besimtarëve që të lexojnë veprat e Tolstoyit. VIA përkujton që përvjetori i 100-të i vdekjes së Tolstoy, para dy vjetësh, është shënuar me një ceremoni të thjeshtë dhe se ai jo vetëm për kishën, por edhe për shtetin ka mbetur një rebel.