TIRANE- Katër persona janë arrestuar dhe 2 të tjerë janë shpallur në kërkim për veprën penale të "falsifikimit të pasaportave e vizave" dhe "falsifikimit të vulave, e stampave ose formularëve".
Policia e Tiranës bëri të ditur sot se janë arrestuar në flagrancë 40 vjeçari Luan Tetaj, 22 vjeçari Qendrim Beqaj, 18 vjeçarja Fatlinda Tetaj dhe 62 vjeçarja Pranvera Lika.
Këta persona, në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë organizuar aplikim fals për pajisjen me çertifikatë personale dhe familjare të shtetases Fatlinda Tetaj, e cila me pas do të pajisej me pasaportë biometrike duke përdorur gjeneralitetet e shtetases Tatjana Matraku.
Ndërkohë, nga hetimet e bëra deri tani mendohet se, duke përdorur gjeneralitetet e një shtetasi me banim në Tiranë, kanë aplikuar për prodhim pasaporte biometrike edhe disa shtetas kosovarë, kundrejt pagesës prej 2000 eurosh për një pasaportë.
Ka qenë verifikimi i dokumentacionit nga punonjësit e policisë në komisariat, të cilët kanë bërë të mundur mosvazhdimin e mëtejshëm të proçedurës si dhe arrestimin e tyre në momentin e dorëzimit të formularëve për verifikim, raporton atsh