Haçiko, Historia E Qenit Që Përloti Botën
Besnikëria dhe dashuria pa kushte i ka bërë qentë të fitojnë titullin “miku më i mirë i njeriut”. Por një qen në Japoni i kishte aq të pakufizuara këto dy cilësi, saqë ka fituar një vend në zemrën e të gjithë japonezëve dhe e ka mbajtur atë për gati 70 vjet.Pavarësisht se kanë kaluar shumë dekada, Haçiko nuk është harruar, por historia e tij është bërë e njohur për të gjithë botën pas librit dhe filmit që përshkruajnë besnikërinë e tij të përjetshme ndaj të zotit.Mes ndërtesave të larta, dyqaneve e vendasve që nxitojnë, statuja e bronztë në madhësinë reale të Haçikos ndodhet në stacionin e trenit Shibuya në Tokio. Por pavarësisht përmasave të vogla në krahasim me ndërtesat shumëkatëshe të Tokios, Haçiko i bronztë nuk është i vështirë për t’u gjetur. Ai është bërë vend takimi për miliona banorë të Tokios që nga viti 1934.Haçiko lindi në Akita në vitin 1923 dhe u soll në Tokio një vit më pas. Ai dhe i zoti, Eisaburo Uyeno, do të bëheshin miq të pandarë që në takimin e parë. Çdo ditë Haçiko do ta shoqëronte profesorin e universitetit “Imperial” deri te stacioni, kur ai shkonte në punë. Kur profesori kthehej e gjente qenin tek e priste, një rutinë që do të vazhdonte për më shumë se një vit. Por një ditë, krejt papritur, profesori sëmuret dhe vdes në universitet.Edhe pse nuk e pa më të zotin, lidhja e fortë me të bëri që qeni ta priste profesorin për 10 vjet me radhë. Haçiko dilte çdo ditë në stacionin Shibuya, në pritje të një miku që nuk do të kthehej kurrë. Për gati dhjetë vjet me radhë banorët e zonës dhe kalimtarët u bënë dëshmitarë të besnikërisë së qenit ndaj të zotit. Në 8 mars të vitit 1935, Haçiko ndërroi jetë në të njëjtin vend ku ishte ndarë për herë të fundit me profesorin. Nga autopsia doli se shkak ishte kanceri.
Statuja
Kalimtarët dhe ata që jetonin pranë stacionit të trenit ishin prekur aq shumë nga historia e Haçikos saqë i ngritën një statujë në vitin 1934, ceremoni në të cilën mori pjesë edhe vetë ai. Artisti i famshëm Ando Teru “rikrijoi” Haçikon në bronz, një kujtim që nuk do ta kishte jetën e gjatë, pasi u prish gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por në vitin 1948, Haçiko i bronztë do të rishfaqej në të njëjtin vend, kësaj here nga duart e djalit të krijuesit të tij, Ando Tekeshi. Edhe pse Haçiko është më i vogël se një njeri nga përmasat, mesazhi që ka lënë pas për rëndësinë e miqve të mirë, është i jashtëzakonshëm. Historia që qëndron pas statujës së tij në stacionin e trenit në Tokio, është nga ato historitë që nuk harrohen kurrë e që ngrohin zemrat e banorëve dhe turistëve nga e gjithë bota.
Jeta
Haçiko (10 nëntor 1923 – 8 mars 1935), i njohur në Japoni si Qeni besnik Haçiko (Haçi në japonisht do të thotë “tetë” që nënkupton radhën e lindjes së qenit dhe “ko” që do të thotë princ apo dukë), ishte një qen i llojit Akita, i lindur në një fermë në prefekturën e Akitës. Ai kujtohet gjithnjë për besnikërinë e pashoqe ndaj të zotit, edhe shumë vjet pas vdekjes së këtij të fundit.
Frymëzimi
Haçiko ishte subjekt i filmit “Përralla e Haçikos” e vitit 1987, e një regjisori japonez dhe tregonte historinë e tij që prej lindjes dhe deri në vdekje, duke imagjinuar edhe bashkimin shpirtëror me të zotin. I konsideruar një sukses shumë i madh, filmi ishte edhe realizimi i fundit i studios japoneze “Shochiku Kinema ”, “Haçiko, historia e një qeni”, i cili doli në kinema në gusht 2009, dhe kur rolin e profesorit e luan aktori Riçard Gir.
Haçiko ishte gjithashtu subjekt i një libri për fëmijë që doli në 2004-n, i titulluar: Haçiko, historia e vërtetë e një qeni besnik. Një tjetër libër ishte “Haçiko pret” që u botua në 2008-n. Haçiko ishte edhe pjesë e një novele po në 2008-n. Në vitin 1994 në Japoni u zbulua një regjistrim i lehjes së Haçikos nga kaseta shumë të vjetra. Zëri i tij u transmetua në radio ndërsa miliona vetë e dëgjonin.