Bahrein, 11 vjeçari para gjyqit, mori pjesë në protesta
Një djalosh 11 vjeçar do të dalë para gjyqit në Bahrein pasi akuzohet se ka marrë pjesë në protestat antiqeveritare.
Ali Hasan akuzohet se është bashkuar me një miting të paligjshëm. Së fundmi ai i dha provimet e shkollës në qeli.
Ali u arrestua muajin e shkuar, ndërsa monarkia sunite shtypi një protestë të shitëve në Bahrein.
Nuk është hera e parë që autoritetet në Bahrein kanë pasur si shënjestër fëmijët. Vjet tre vajza adoleshente thanë se janë rrahur nga policia ndërsa ishin në paraburgim. Më shumë se 50 persona kanë vdekur në Bahrein që kur protestat nisën në shkurt.
Në rrugë kanë dalë edhe mbi 200 mijë njerëz. Raportohet se monarkia ka përdorur edhe trupat nga Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe për të shtypur protestat.