Rrëfehet vajza e fotos historike të Luftës së Vietnamit...
U deshën pak sekonda për fotografin e Associated Press që të realizonte këtë foto ikonike. Ajo u bë simbol i horrorit në Luftën e Vietnamit. Një vajzë e vogël, e djegur nga napalmi, që vrapon nëpër rrugë. E kush nuk e ka parë dhe nuk është përlotur nga ai imazh që fitoi çmimin Pulitzer.
Kim Phuc ishte 9 vjeç atëherë kur avionët e Vietnamit të jugut lëshuan napalmin. Krahu i mori flakë. Rrobat i ranë të gjitha përtokë nga nxehtësia. Ajo vrapoi në rrugë e terrorizuar. Ulëriti disa herë përpara gazetarëve të huaj që po shihnin skenën dhe humbi ndjenjat.
Fotografi Nick Ut e mori dhe e dërgoi në spital. Aty i thanë se ajo ishte e mbaruar. Por ai u tregoi kartën e gazetarit amerikan dhe mjekët vendosën ta marrin në dorë. “Qava kur e pashë duke vrapuar. Nëse nuk e ndihmoja, nëse ajo do vdiste, unë ndoshta do vrisja veten pas saj,” thotë ai.
Vajza shkoi në spital dhe aty e mori veten ngadalë. Të tjerë gazetarë të huaj e ndihmuan të transferohej në një spital më të mirë. Pas 13 muajsh doli nga aty, por jeta ishte sërish shumë e vështirë. Ajo dëshironte që të studionte për mjekësi, por regjimi ia ndërpreu ëndrrën pasi ajo ishte imazhi i luftës. Pas shumë përpjekjesh, ishte sërish një gazetar i huaj që i siguroi një bursë studimi jashtë, në Kubë. Aty njohu një vietnamez dhe ranë në dashuri. Ishte shumë e vështirë për të që meshkujt ta pranonin me shenjat në shpinë e krah.
Aktualisht jeton në Toronto dhe thotë se bën një jetë normale si gjithë të tjerët. Kurse fotografi që e ndihmoi thotë se është i lumtur. “E quaj vajza ime,” thotë ai.