Ndërsa i largohemi aksidentit tragjik të ditës së hënë, vajzat e mbijetuara kthjellohen dhe japin edhe dëshmitë e para për dramën e përjetuar. Alma Deda nga Rrogozhina, ndërsa duket se tashmë është më mirë me shëndet, rrëfen se momentin e fundit autobusi ka mbetur i varur gjysmë në rrugë dhe gjysmë në humnerë, por vajzat e tmerruara e kanë prishur ekuilibrin në panik e sipër.
” E mbaj mend shumë mirë se çfarë ka ndodhur brenda atyre pak minutave. Unë isha në gjumë dhe dy minuta përpara aksidentit u zgjova. U mbështeta në sedilje dhe po prisja të ndalonim për të ngrënë diçka. Kaluam një kthesë të fortë dhe erdhi kthesa tjetër. Kur, në atë moment autobusi u fut nga ana e kodrës dhe u ndje një përplasje dhe zhurmë e fortë. Reaguam të gjitha duke bërtitur, ndërsa shoferi frenoi, por autobusi nuk ndalej. Autobusi ngeli nga njëra anë në ajër dhe nuk dinim më se çfarë po bënim. Shoferi po bërtiste: “Bo, bo, çfarë ndodhi. Mos lëvizni, mos dilni para autobusit se do të rrëzohemi, prisni sa tu hap derën, mos dilni para. Qëndroni në fund të autobusit, nuk duhet të peshoni para”. Por ne na kapi paniku dhe të gjitha u turrëm para autobusit pa vetëdije. Po të kishim qëndruar në fund, nuk do të binim. Shoferi u përpoq të hapte derën, por butoni që shtypte nuk po merrte komandë. Ai thoshte: “Nuk punon, nuk punon. Ishte çështje sekondash, nuk di ç’të them.”
Më pas ajo tregon se ka shpëtuar pasi gjatë rrokullisjes autobuzi e ka flakur jashtë nga dritarja. “Me siguri që kam dalë nga xhamat. Unë shpëtova se autobusi u përplas në një vend që ishte si shesh i vogël dhe ngela aty, ndërsa autobusi vazhdoi të rrokullisej më poshtë”,- përfundon studentja.