Anija amerikane i shpëton sulmit të piratëve
Marina e Iranit thotë se e ka shpëtuar një anije transportuese amerikane nga piratët në Gjirin e Omanit.
Në një deklaratë të cituar nga agjencia zyrtare e lajmeve, IRNA, marina tha se një luftanije iraniane iu përgjigj një sinjali të rrezikut të lëshuar nga anija Maersk
Texas, e cila u sulmua nga anijet pirate më 23 maj.
Në deklaratë thuhet se piratët kanë “ikur nga vendi i ngjarjes sapo e kanë vërejtur praninë” e luftanijes.
Megjithatë, agjencia e lajmeve Associated Press citoi kompaninë daneze të anijeve AP Moller Maersk të ketë thënë se sulmi i piratëve ndaj anijes është ndaluar
nga rojet e armatosura që gjendeshin në bordin e anijes.
Kompania ka thënë se askush nuk është lënduar në incident dhe anija Texas Maersk ka vazhduar udhëtimin e saj për në Shtetet e Bashkuara.
Anija po lundronte nga Emiratet e Bashkuara Arabe.