Irani shpall luftë ndaj “Google”
Irani ka kërcënuar motorin e kërkimit “Google” me ndjekje ligjore për heqjen e referencës së Gjirit Persik nga hartat e tij.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Ramin Mehmanparast, deklaroi se nëse “Google” nuk do të rikthejë këtë emërtimit në detin që e ndan atë nga Arabia Saudite, atëherë do të përballet me “pasoja serioze”.
Ai konfirmoi se Teherani zyrtar është vendosur ndërkohë në kontakt me “Google”, për ta informuar rreth qëndrimit të tij.
”Sulmi nëpërmjet teknologjive të reja kompiuterike në çështje politike me rëndësi për rajonin është “moda” e re e lëshuar nga miqtë e Iranit. Këtë herë, i ka takuar “Google” të shndërrohet në pjesë e lojës së kundërshtarëve tanë”, tha Mehmanparast.
Nga ana e tij, “Google”u përgjigj duke thënë se asnjëherë nuk e ka emërtuar Gjirin Persik, prandaj nuk mund të akuzohet për ndryshimin e emrit.
Irani është veçanërisht i ndjeshëm rreth mënyrës se si quhet ujrat përtej Ngushticës së Hormuzit.
Historikisht, ka ekzistuar emri Gjiri Persik, por shumë vende arabe kanë filluar ta quajnë Gjiri Arabik. Si pasardhësi direkt i Persisë së lashtë, Teherani e konsideron një ofendim për kulturën e tij emërtimin e ndryshëm.