Greta Koçit i thyejnë e i vjedhin makinën
Makina e këngëtares Greta Koçi, së bashku me tri automjete të tjera, është thyer e vjedhur gjatë natës në zonën e Freskut në Tiranë. Këngëtares i kanë thyer xhamin e makinës së parkuar në garazhin e pallatit ku banon dhe i kanë vjedhur disa objekte që ndodheshin brenda automjetit. Ngjarja ka ndodhur gjatë natës duke gdhirë dita e martë, në një prej pallateve që ndodhen në zonën e Qesarakës, pranë Freskut në Tiranë. Burime nga Policia thanë se persona ende të paidentifikuar kanë thyer xhamin e makinës tip “Chevrolet”, me targë TR 8383 N, në pronësi të shtetases Greta Fatmir Koçi, 21 vjeçe. Më pas i kanë vjedhur brenda saj portofolin, kasetofonin dhe një aparat për orientim rrugësh. Përveç makinës së këngëtares së njohur, hajdutët kanë thyer e vjedhur edhe tri automjete të tjera që kanë qenë të parkuara pranë saj. Sipas burimeve nga Komisariati Nr.4, mësohet se janë thyer xhamat e automjeteve tip “Benz”, me targë AA 526 AL, “Benz”, me targë TR 2829 T dhe “Volkswagen Golf 4”, me targë AA 989 CU, në pronësi të shtetasit Izmir Bregu, 20 vjeç. Dëmtimi i automjeteve është zbuluar në mëngjes, kur këngëtarja Greta Koçi dhe personi Izmir Bregu kanë konstatuar thyerjen e xhamave dhe vjedhjen e aksesorëve brenda tyre. Ata kanë lajmëruar në Sallën Operative të Policisë dhe në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e Komisariatit Nr.4, që kanë bërë këqyrjen e automjeteve në mënyrë që të fiksohej ndonjë gjurmë gishtash. Megjithatë, mësohet se personat që kanë kryer vjedhjen janë ende të paidentifikuar. Por gjurmët e gjetura do të ekzaminohen në Laboratorin e Kriminalistikës.