Fjalët bllokohen nga lotët. Por Shaun Wilson-Miller, një djalë 17 vjeçar që sapo ka mësuar se shumë shpejt do të vdesë, merr zemër dhe vendos të publikojë në YouTube videon personale me mesazhin e lamtumirës.Është mesazhi i dhimbjes dhe njëkohësisht i shpresës ai që ka prekur njerëzit që brenda pak javësh janë bërë më shumë se 1.5 milionë vetë.
Shaun vuan nga një sëmundje kronike e zemrës çka e ka detyruar të bëjë dy transplante. Mjekët kanë thënë se në këto kushte nuk mund të bëhet një transplant i tretë, duke i dhënë kështu djalit vetëm pak muaj jetë.
Pak pasi është njohur me diagnozën dëshpëruese, Shaun ka registruar në darkë vonëmesazhin me kameran e tij që më pas është shpërndarë në mbarë botën përmes faqeve të internetit. Në mesazhin e tij, ai u uron miqve e familjarëve të tij një jetë të lumtur ndërsa u kërkon që të kujdesen për babain e tij, kur ai të mos jetë më.
“Unë nuk do të jem këtu aq gjatë sa kisha shpresuar, por dua të them se kjo ishte një shëtitje fantastike dhe nuk kam asnjë merak”, thotë Shaun ndërsa mundohet të frenojë emocionet. Mesazhi në fjalë ishte destinuar vetëm për miqtë e tij në Facebook, por Shaun-it i është dashur ta ngarkojë në YouTube për shkak të një problemi teknik që kishte rrjeti social dhe në mëngjes videoja në fjalë ishte shikuar nga 10 mijë persona.
Në një javë, Shaun ka dalë në disa spektakle televizive, është takuar me futbollistin e preferuar dhe po shkruan historinë e jetës së tij. Madje ai ka gjetur edhe një të dashur, e cila gjithashtu është e sëmurë në zemër.