Një 13-vjeçar, falë reflekseve të tij, ka shpëtuar klasën nga një aksident i rëndë rrugor. I ulur në një nga radhët e para të autobusit të shkollës në Washington, befasi ai ka vërejtur se shoferit i kishin rënë të fikëtit.
Në atë situatë, Jeremy Wuitschick, kuptoi se mjeti ishte plotësisht jashtë kontrolli. Atëherë mori në dorë timonin dhe falë manovrave të duhura, dalëngdalë arriti të ndalojë autobusin përgjatë rrugës. Kështu, të 15 shokët e shkollës që gjendeshin në autobus arritën të shpëtojnë.
E gjithë skena është filmuar nga një kamerë e cirkuitit të mbyllur, që ishte vendosur brenda autobusit, ndërkohë që policia vendëse ka thurur lavde për djaloshin-hero. “Bëri ekzaktësisht atë që duhet të bënte, me energji të madhe dhe pa humbur qetësinë. Meriton të gjithë duartrokitjen e shokëve të tij dhe tonën”, ka komentuar shefi i policisë së zonës.