Një stjuardesë ruse është pushuar nga puna pasi postoi një mesazh në Twitter pas rrëzimit të një avioni rus. Ajo punonte për linjën më të madhe ajrore ruse, Aeroflot dhe bëri shaka në lidhje me rrëzimin e super-avionit Sukhoi Superjet 100, që kishte dalë në një fluturim testimi.
“Hë? A u rrëzua super avioni? Hahaha. Ky aeroplan ta shpif. Sa keq që nuk ishte pjesë e Aeroflot, do ishte një më pak,” shkroi ajo në Twitter.
47 persona gjetën vdekjen kur avioni u përplas në xhunglën indoneziane. Ai duhej të ishte një avion avantgardë në industrinë e fluturimeve civile.
Një senator rus ngre dyshimet se avioni mund të jetë sulmuar. Aleksandër Torshin thotë se konkurrenca për transportin ajror është shumë e fortë dhe për këtë arsye avioni mund të jetë sulmuar.
Ky ishte aksidenti më i rëndë në një fluturim demonstrimi për dekada të tëra.