Prishtinë -Ministri kosovar i Infrastrukturës, Fehmi Mujota u takua sot me Gjeneralin Ishtvan Talla, zëvendësndihmës-sekretar i NATO-s, i shoqëruar nga personeli i Drejtorisë së Mbrojtjes Ajrore në Bruksel dhe përfaqësues ushtarakë dhe civilë të KFOR-it në Kosovë.
Në këtë takim u diskutua për procesin e normalizimit të hapësirës së lartë ajrore të Kosovës, njoftoi ministria kosovare. Gjenerali Talla e informoi ministrin Mujota për nismën e NATO-s për të identifikuar një shtet anëtar të saj, që do të ofronte përkohësisht shërbime të navigacionit ajror në hapësirën e lartë ajrore të Kosovës dhe shpalosi opsionet, që po i konsideron Këshilli i NATO-s.
Gjenerali Talla premtoi që procesi i hapjes së hapësirës së lartë ajrore do të përmbyllet brenda një viti ndërsa u shpreh i kënaqur me rolin që autoritetet e Kosovës po luajnë në këtë nismë.
Ministri Mujota shprehu falënderimet e tij për bashkëpunimin e ngushtë me NATO-n dhe veçanërisht komandantët e KFOR-it, ndërsa siguroi Gjeneralin Talla se autoritetet do të vazhdojnë të bashkëpunojnë ngusht me NATO-n, KFOR-in dhe partnerët tjerë në gjetjen e një zgjidhjeje të përkohshme sa më të mirë për Republikën e Kosovës, sigurinë e fluturimeve, komunitetin e aviacionit dhe udhëtarët që shfrytëzojnë Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.