Në orët e pasdites, në veri të Kosovës, janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri, por policia nuk ka arritur të lokalizojë vendin se prej nga është shtënë dhe as të identifikojë autorët e dyshuar, thonë zyrtarë të Policisë së Kosovës.
Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Mitrovicës thotë se patrullat policore janë në terren, për të parandaluar çfarëdo incidenti.
“Mund ta konfirmoj se janë dëgjuar disa të shtëna, të cilat nuk kanë ndikuar absolutisht në situatën e sigurisë. Kemi dërguar të gjitha njësitë patrulluese në kërkim të lokacionit të mundshëm prej nga janë dëgjuar këto të shtëna, mirëpo nuk kemi arritur ta identifikojmë lokacionin”, thotë Hoti për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, të shtënat kanë qenë në ajër dhe policia nuk ka evidentuar dëme materiale apo viktima në njerëz. Po sipas Hotit, në polici nuk ka arritur asnjë ankesë lidhur me këto të shtëna.
Në veri të Kosovës, krahas zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë, të dielën thuhet të jenë mbajtur edhe zgjedhjet lokale serbe. Përfaqësuesit ilegalë të veriut kanë thënë se ato janë organizuar ndaras procesit që ka kontrolluar OSBE-ja.