Në veri të Kosovës po zhvillohet referendumi në komunat me shumicë serbe për pranimin ose jo të autoritetit të qeverisë së Prishtinës.
Në komunat e Mitrovicës, Zveçanit dhe Zubin Potokut qendrat e votimit janë hapur që në orën 07 dhe procesi po vazhdon. Ndërsa në Leposaviç referendumi do të mbahet të mërkurën.
Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka reaguar ndaj mbajtjes së këtij procesi duke e cilësuar si “shumë të veçantë” situatën e krijuar në veri të Kosovës.
“Situata e veçantë në pjesën veriore të Kosovës mund të gjendet vetëm me dialog dhe konsultime e jo me barrikada apo referendum”, ka deklaruar zëdhënësja e Catherine Ashton, Maja Koçijançiç.
Ky referendum është kundërshtuar nga Prishtina zyrtare e po ashtu edhe nga përfaqësuesit ndërkombëtarë, duke thënë se rezultati i një referendumi të tillë nuk do të ketë kurrfarë efekti juridik.
Përveç kësaj, referendumi është kundërshtuar edhe nga Serbia, që sipas zyrtarëve të qeverisë serbe, mund të ketë ndikim negativ në kohën kur pritet marrja e statusit të kandidatit për integrim në Bashkimin Europian.
Ditë më parë edhe komandanti i KFOR-it, Erhard Drews, e cilësoi referendumin si një provokim të mundshëm ndaj popullatës shumicë në Kosovë.
Në një intervistë për mediat gjermane ai shfaqi frikën se nga shqiptarët mund të shpërthejë ndonjë reagim kur serbët e veriut të dalin në votime. Por, ushtaraku gjerman është zotuar se KFOR-i ështëi gatshëm ta evitojë më të keqen.