Universiteti Kristal i Tiranës është pëfshirë në një rrjet mafioz të shitblerjes së diplomave të arsimit të lartë, organizuar nga italiani Giorgio Salvade' dhe ku janë tërhequr në lojë edhe universitete nga Prishtina dhe Kievi (Ukrainë). Ka qenë grupi mediatik "Il fatto quotidiano", që ka zbuluar dje se Salvade' prej kohësh punonte për të "peshkuar" studentë, që kishin vështirësi për të marrë diplomat në Itali apo në vende të tjera të Bashkimit Evropian dhe u ofronte, kundrejt pagesës, mundësi të tjera. Në këto mundësi përfshiheshin edhe rrugë krejtësisht të paligjshme, të tilla si pajisja e studentëve me kufje për t'i përdorur brenda provimeve në shkolla italiane, por ofrohej edhe mundësia tjetër, ajo e përfitimit të diplomës, madje, pa shkuar fare në vendet ku do të jepej ajo. Një nga këta "peshq" që ka peshkuar Salvade', ka qenë edhe i biri i kreut të partisë Lega Nord të Italisë, Renzo Bossi.
ORGANIZIMI
Në fakt, prokuroria italiane ka filluar të hetojë lidhur me "diplomat e lehta" prej disa vitesh. Pista e parë e tyre ka çuar fillimisht në një universitet të Rumanisë, thekson gazeta, por, me sa duket, më pas është kaluar në vende jashtë Bashkimit Evropian, ku nuk eksiztojnë rregulla rigoroze universitare. Kështu, sikurse ka pohuar tashmë prokurori i Parmës, në skenë dolën emrat e universiteteve si ai shqiptar Kristal, ai kosovar Rezonanca apo ai ukrainas "Medicina-Ekologia" i Kievit. Aktualisht, që prej 22 dhjetorit të vitit të kaluar, kreu i kësaj organizate ndodhet pas hekurave, në pritje për t'u gjykuar me 13 bashkëpunëtorë, për aktin kriminal të krimit të organizuar me qëllim falsifikimin dhe mashtrimin, me anë të një shoqate ku kanë rënë viktima disa qindra studentë.
(Shkrimin e plotë e gjeni në numrin e sotëm të gazetës “Shqiptarja.com)
(Në foto: (djathtas) Giorgio Salvade', kreu italian i organizatës së shitblerjes së diplomave nga vendet e Ballkanit dhe Evropës Lindore; (majtas) Faqja në internet e Shoqatës Kristal Europe, që ofron shërbime për studentët në universitetin Kristal të Tiranës, atë Rezonanca të Prishtinës dhe Medicina Ecologia të Kievit).