“Mund të fitojmë përsëri”. Kjo është deklarata e portierit legjendar të kombëtares spanjolle, Iker Kasijas, në një aktivitet të organizuar për prezantimin e topit zyrtar të Euro 2012. Por ai treguar edhe realist kur ka pranuar se dëmtimet e disa lojtarëve, sidomos ato të Pujol dhe Vija do e bëjnë këtë sfidë më të vështirë. “ Unë fola pak me Pujol, ishte i mërzitur nga situata. Kjo është një mungesë e rëndësishme dhe shumë e ndjerë mes grupit të lojtarëve. Ndaj i uroj një riaftësim të shpejtë dhe një kthim po aq të shpejtë në radhët e kombëtares. Edhe për Vijan do të dëshironim që tashmë të kishte luajtur disa ndeshje, por nuk ndodhi siç shpresonim. Të shohim tani si do të jetë edhe gjendja e Ksavit derisa të mblidhemi bashkë”, u shpreh Kasijas.
Sipas tij tani të gjithë kanë si objektiv të mundin Spanjën, ndërsa si rivalë kryesorë ai rendit Gjermaninë dhe Holandën. “Problemi ynë është që duke qenë skuadra më e mirë në botë, të gjithë do të luajnë deri në vdekje kundër Spanjës. Rivalët? Gjermania ka një ecuri fantastike ndërsa shoh të fortë edhe Holandën. Të dyja do të jenë pretendente”.
Por ai nuk ka harruar të shprehë superlativa edhe për topin me të cilin do të luhen ndeshjet: “E kam provuar disa herë dhe është mjaft i mirë. Trajektoret janë të qarta. Këtë radhë, topi do të ndihmojë portierët”./albobserver/