Mbrojtësi dhe kapiteni i kombëtares angleze, John Terry do të përballet me gjykatën për akuzën e racizmit, vetëm pas finaleve të Euro2012.
Gjyqi ndaj lojtarit të Chelsea-t do të nisë më 9 korrik, nëntë ditë pas përfundimit të kampionatit europian të futbollit në Poloni dhe Ukrainë.
John Terry akuzohet për racizëm kundrejt lojtarit Anton Ferdinand të Queens Park Rangers në ndeshjen e luajtur më 23 tetor 2011. Por futbollisti vetë nuk e pranon akuzën dhe avokati i tij paraqiti në gjykatë një kërkesë pafajësie.
“John Terry mohon të ketë lëshuar deklarata raciste. Ai nuk ka lëshuar kurrë deklarata raciste kundër asnjë lojtari në fushë, gjatë gjithë karrierës së tij”, deklaroi avokati i tij.
Nëse shpallet fajtor për fyerje raciste, John Terry rrezikon maksimumi një gjobë 2.500 paund.