Një aktivist i verbër kinez, që u shpëtoi 100 rojeve duke u arratisur nga arresti shtëpiak, besohet se ka kërkuar strehim në ambasadën amerikane.
Chen Guangcheng, 40 vjeç, ishte nën mbikëqyrje të rreptë në shtëpinë e tij në fshatin Dongshigu, pasi kishte publikuar faktet për abortet e detyruara si pjesë e politikës kineze për një fëmijë në familje.
Por pasi kreu katër vite në burg dhe u burgos sërish në shtëpi, avokati autodidakt arriti të arratisej edhe pse më shumë se njëqind roje e ruanin shtëpinë e tij.
Shtetet e Bashkuara nuk e kanë konfirmuar lajmin se ai ndodhet në ambasadën amerikane.
Pretendimet sigurisht mund të acarojnë ndjeshëm marrëdhëniet mes SHBA e Kinës.
Chen pati publikuar skandalin e aborteve. Më pas ai u arrestua nën akuzën qesharake se kishte bllokuar trafikun.
Avokatët dhe aktivistët që tentonin ta vizitonin atë në shtëpi ishin ndaluar.
Madje edhe aktori i famshëm Christian Bale u përplas me forcat e sigurisë kur tentoi të bënte një vizitë në shtëpinë e Chen gjatë një turi në Kinë.