Një studiues gjerman ka zbuluar një letër të rrallë të shkruar nga kompozitori me famë botërore, Ludwig van Beethoven.
Në dokumentin me shkrim dore prej gjashtë faqesh, Beethoven ankohet për mungesën e parave dhe për gjendjen e tij të keqe shëndetësore.
Ekspertët e njihnin ekzistencën e letrës së shkruar në vitin 1823, por nuk e kishin identifikuar ndonjëherë origjinalin. Sipas tyre, letra në fjalë ka një vlerë të madhe historike.
Një gazetar i quajtur John Suchet, i cili ka shkruar disa libra rreth kompozitorit, e cilësoi gjetjen e letrës si jashtëzakonisht domethënëse.
Në intervistën e tij për BBC, Suchet u shpreh: “Gjithmonë e kemi ditur se letra ekzistonte dhe informacioni nuk është i ri, por kjo është kopia origjinale dhe ka një domethënie shumë të madhe. Mund të studiohet shkrimi i tij i dorës, i cili ka qenë gjithmonë shumë i parregullt, pasi babai i tij e hoqi nga shkolla shumë të vogël, për ta detyruar të birin që të përqendrohej vetëm tek muzika”.
Stefan Weymar, i Institutit Brahms të Lybekut, ku letra do të ekspozohet, shtoi: “Beethoven nuk ka qenë një kompozitor me një shkrim të bukur dore. Ai është spontan dhe me mendime të çorganizuara”.
Letra në fjalë i është drejtuar harpistit dhe kompozitorit Franz Anton Stockhausen, të cilit, Beethoven i lutet që të gjejë blerës paraprakë për veprën ende të papërfunduar, të “Meshës Solemne”
”Paga ime e ulët dhe sëmundja ime e bëjnë të menjëhershme nevojën për të shtuar të ardhurat e mia”, shkruante kompozitori.