“Është një histori tronditëse dhe do të doja ta ndaja atë me ju. Unë kam një histori, që na bën të kuptojmë se sa të vegjël jemi.”
Janë këto fjalët e një 18-vjeçari amerikan, i cili bëri një video shumë frymëzuese, pak para se të vdiste, në ditën e Krishtlindjeve. Në këtë video, Ben Breedlove përshkruan me ndihmën e disa letrave të vogla, vitet e pakta të jetës së tij, gjatë së cilës që i vogël ka luftuar me një sëmundje të rëndë.
Ai tregon se takoi 2 herë vdekjen dhe në video përshkruan këto përvoja. Ai shkruan atë që mban mend nga takimi i parë me vdekjen në moshën 4 vjeçare. Ben tregon se pa një dritë të shkëlqyer dhe të ngrohtë, një dritë që e mbushi me gëzim në shpirt.
Disa javë para se të xhironte videon, në moshën 18 vjeçare, ai ka pasur një përvojë të dytë të ngjashme, kur i ra të fikët dhe zemra e tij u ndal për tre minuta. Djali tregon se ajo që mban mend nga ato momente, është se ishte i veshur me të bardha bashkë me këngëtarin e tij të preferuar Kid Cudi. “Ne ishim në një dhomë pa mure, dukeshim në pasqyra, ndihesha shumë krenar për të gjithë jetën time, për atë që kisha bërë deri atëherë. Ishte ndjenjë shumë e mirë…”, shkruan 18 vjeçari.
Kur ekipet e shpëtimit e sollën përsëri atë në jetë, ai tha se dëshira e tij e vetme ishte të mos zgjohej më. “Sa mirë isha atje…ishte shumë bukur”.
Vetëm pak ditë pas xhirimit të kësaj video, djali bëri takimin e tretë me vdekjen, por këtë herë pa kthim. Ai vdiq nga arresti kardiak, pa i mbushur ende 18 vjet.
Nëna e tij shprehet: “Ju nuk mund ta imagjinoni se sa gëzim që kam marrë kur kam gjetur këtë mesazh pas vdekjes së djalit tim. Kjo ishte dhuratë për ne. Ishte kaq i sigurtë dhe nuk kishte frikë nga vdekja. Ben ishte gjithmonë i lumtur. Duke qënë një bekim për ne prindërit e tij”.