Anemi, gjak në jashtëqitje, kollë me gjak, gjëndër ose kokërr në gjoks, përtypje me vështirësi, gjakderdhje kur je në menopauzë, rezultati jo normal i një analize prostate.
Sigurisht që janë dukuri të rralla dhe jo domosdoshmërish diktojnë probleme onkologjike, megjithatë, sipas asaj që thonë autorët, një në njëzet raste tregon se janë simptoma të një sëmundjeje të keqe tumorale dhe një arsye shumë e fuqishme për t’iu drejtuar menjëherë mjekut dhe për të bërë analizat e nevojshme.
Studimi
Autorët e këtyre analizave të hollësishme janë kërkuesit e “Keele University” dhe rezultatet e përfundimeve të tyre u shfaqën në revistën e mjekësisë së përgjithshme britanike “British Journal of General Practice”. Për të identifikuar tetë simptomat e cilësuara si të rrezikshme, ata kanë analizuar me kujdes 25 studime ndërkombëtare, duke vëzhguar mes shumë simptomave onkologjike ato që më shpesh ishin tregues të pranisë së një kanceri në organizëm. Mes të gjithave, izoluan ato që lidheshin me mundësinë që në 20 raste tregonin për një tumor, duke specifikuar edhe se për çfarë tipologjie pacientësh dhe për çfarë moshe rreziku është pak a shumë i ngjashëm.
Mosha të ndryshme, profile të ndryshme
Për më të rinjtë, nën 55 vjeç, dy janë anomalitë që hyjnë në kategorinë e “alarmit të kuq”: një gjëndër apo një masë në gji dhe kërkesa për një analizë prostate. Për meshkujt më shumë se 55 vjeç, vëmendje e madhe u kushtohet problemeve që lidhen me përtypjen, që mund të tregojnë një tumor në ezofag, ndërsa për gratë mbi 60, gjaku në urinë kërkon bërjen e analizave urgjente për të parë problemet me veshkat. Në të njëjtën mënyrë, shpjegojnë në një editorial në revistë, gjendja e një anemie të theksuar mund të jetë shenja e parë e një tumori në zorrë për të moshuarit, por që ka më pak mundësi të ndodhë me një 20-vjeçare.
Simptomat? Janë shumë…
“Royal College of General Practitioners” ka komentuar pozitivisht punën “që forcon nevojën për të inkurajuar pacientët për t’ju drejtuar menjëherë mjekut të familjes”. Por në të njëjtën kohë. “Cancer Research UK”, një nga organizatat më të njohura dhe më aktive kundër kancerit në Britani thotë se: “Ato që evidentohen nga studimi njihen tashmë si shenja të rëndësishme që tregojmë për kancerin, por janë rreth 200 forma tumorale që shkaktojnë simptoma të ndryshme. Kështu që çdo ndryshim i pazakontë apo i vazhdueshëm në trupin tuaj meriton të kontrollohet me kujdes”.