Para disa ditësh, duke lexuar një shkrim mjaft interesant të një
kolegu, m’u ngjall kureshtja t’u hidhja një sy të dhënave më të fundit
të literaturës mjekësore për të ndriçuar pak më mirë se ku qëndron puna
me përdorimin e antibiotikëve në kohën e sotme.
Dhe, realisht, pak nga pak fillova të lundroj në vëzhgime e konkluzione
jo vetëm interesante, por ndonjëherë edhe të frikshme për të ardhmen e
mjekësisë. Do mundohem të paraqes përmbledhtazi çka del në pah sot nga
studimet dhe nga parashikimet e specialisteve të kësaj fushe.
Do e nisja me një thënie të Drejtores së Përgjithshme të Organizatës
Botërore të Shëndetësisë, Dr.Margaret Chan: Sa më shumë ndryshojnë
bakteret për t’iu shmangur veprimit të antibiotikëve, aq më rrezik ka që
infeksionet “e zakonshme” të bëhen vdekjeprurëse.
E vërteta është që anti-mikrobialët janë ilaçeqë përdoren për të mjekuar infeksionet e shkaktuara nga bakteret,
mykrat, parazitët dhe viruset. Zbulimi i tyre ka qenë përparimi më i
rëndësishëm për shëndetin në historinë e njerëzimit, që ka sjellë
pakësimin e vuajtjeve nga shumë sëmundje dhe ka shpëtuar miliona jetë
njerëzish.
Por, sot po jetojmë në kohën kur po humbet gjithmonë e më shumë
efikasiteti i antibiotikëve. Gjithmonë e më shumë antibiotikët e rinj që
dalin janë më të kushtueshëm, më toksikë, nevojiten kura më të
zgjatura, e këta antibiotikë domosdoshmërisht duhen aplikuar në repartet
e terapisë intensive. Spitalet sot po bëhen vatra të mikrobeve shumë
rezistente, siç është stafilokoku i artë dhe ka rrezik që shtrimi në
spital më shumë të vret, në vend që të shërojë. Sallat e operacioneve
janë të infektuara nga plot shtame rezistente. Sëmundje që dikur ishin
të shërueshme si tuberkulozi, sot po bëhen të vështira për mjekim dhe
shumë të shtrenjta për xhepin e pacientëve. Tuberkulozi rezistent është
shumë i komplikuar, kërkon mbi dy vjet kura të zgjatura dhe ilaçe të
shtrenjta, të cilat gjenden me shumë vështirësi në treg. Edhe në
konditat e një mjekimi ideal, vetëm gjysma e pacientëve shërohen.
Mikrobe të tjera rezistente po shtohen, si salmonela, E.coli, gonorrea
etj.
Disa ekspertë kanë dalë në konkluzionin e frikshëm: po kthehemi
mbrapsht në kohën e mospasjes së antibiotikëve. Ose më mirë, po kalojmë
në epokën e post-antibiotikëve. Kjo epokë e post-antibiotikëve, në fakt
do të thotë fundi i mjekësisë moderne, siç e njohim ne sot. Edhe
infeksione që dikur ishin të thjeshta, siç janë mahisja e fytit apo një
gërvishtje e gjurit nga rrëzimi i një fëmije, mundet të jenë
vdekjeprurëse. Mospasja e antibiotikëve efikas mund të bëjë që
procedurat kirurgjikale apo disa trajtime të kancerit të jenë shumë të
rrezikshme, apo dhe të pamundura. Po aq të rrezikshme e të vështira po
bëhen trajtimi i frakturave, transplanti i organeve, apo aplikimi i
kimioterapisë në proceset malinje.
Dalja e antibiotikëve të rinj sot mund të ndihmojë që të shmanget
katastrofa nesër. Por kompanitë që merren me prodhimin e ilaçeve nuk
duan më dhe nuk kanë interes të investojnë në medikamente që përdoren
për pak ditë tek i sëmuri. Por, po të nxjerrësh në treg një ilaç që ul,
ta zëmë, kolesterolin ose që kuron tensionin e lartë të gjakut, njerëzit
do ta përdorin atë gjithë jetën dhe kjo u leverdis kompanive
farmaceutike, por antibiotiku përdoret vetëm për një javë ose ndoshta
vetëm 10 ditë dhe kjo s’ka interes për këto kompani.
Të gjitha këto, a tregojnë vallë që është e humbur lufta me mikrobet?
A po i vjen fundi njerëzimit nga mikrobet rezistente? Dhe më e
rëndësishmja: a ka dritë në fund të tunelit?
Një zgjidhje ka, dhe kjo zgjidhje kushtëzohet nga realizimi i një
revolucioni biologjik dhe shkencor. Ky revolucion kërkon që, jo më të
prodhohen antibiotikë për të vrarë mikrobet, por të depërtohet e të
manipulohet bashkekzistenca e mikrobeve me organizmin e qenieve
njerëzore.
Nga ana tjetër, në një sens më praktik, nëse mjekët i nxisin
kompanitë farmaceutike të nxjerrin antibiotikë të rinj, ata vetë duhet
të jenë shumë të kujdesshëm në përdorimin pa kriter të tyre. Këshilla e
vetme që mund të jepej në këto raste do ishte: përdorni antibiotikët siç
duhet dhe vetëm kur nevojiten domosdoshmërisht. Përdorni antibiotikët
aq sa duhet. Nuk duhet të lejojmë sot të ndodhë një krizë tjetër
botërore me antibiotikët kur bota ka kaq shumë probleme dhe kur po
ndodhin kaq shumë fatkeqësi natyrore, që të humbasim antimikrobialët që
janë kaq thelbësorë për luftimin e sëmundjeve për mijëra dhe miliona njerëz kudo në botë.
Nga të gjitha këto e të tjera, përsëri mendoj: A po jetojmë vërtet
fundin e një epoke në mjekësi që lidhet me fundin e njerëzimit, apo kjo
shënon fillimin e një epoke të re revolucionare të mendimit mjekësor dhe
të trajtimit të të sëmurëve. Do kisha dëshirë të ishte kjo e fundit,
por jam ende skeptik të brohoras siç bën kolegu im, që konkludon me
fjalët: Rroftë revolucioni!
*Prof. Alketa Koroshi është mjeke.