Një gjykatë rajonale në Gjermaninë perëndimore, në qytetin Osnabruek, ka dhënë shtatë vjet burg njeriut i cili shkoi të vidhte një bankë e cila nuk ekzistonte më.
Gazeta gjermane “Bild” raporton se hajduti, një 57 vjeçar, në muajin maj kishte shkuar në një filial të një banke, i armatosur me një pistoletë lodër dhe kishte mbajtur peng një grua, duke kërkuar nga ajo që t’i jepte 10,000 euro.
Banka kishte ndërruar vendndodhjen 17 vjet më parë dhe aty kishte vetëm një makinë për tërheqjen e parave. Duke e parë situatën, hajduti kishte detyruar një kalimtar të tërhiqte para nga “bankomati”. Ai mori 400 euro dhe u arratis me një veturë të vjedhur. Ai e braktisi edhe makinën, ku kishte lënë shenjat e gishtërinjve, duke ia bërë më të lehtë policisë zënien e tij, pasi ai veçse kishte 22 dënime të mëhershme.