“Në rrugën e programit po përvijohet përditë e më qartë dallimi mes nesh dhe atyre që qeverisin me vota të vjedhura. Zgjedhja po bëhet përditë e më e qartë: ose rilindje shqiptare ose dorëzim përballë një rrënimi të mëtejshëm. Po përvijohen dallimet në katër shtylla të programit: rimëkëmbja ekonomike, kur oferta e tyre është rrënimi i mëtejshëm. Ne duam punësim real, ata duan rritje të papunësisë.Ne duam taksim të ndershëm, ata taksa që mbysin shtresën e mesme dhe të varfrit. Ne duam ta mbështesim biznesi, ata ofrojnë vetëm një rrugë qorre. Ne duam shërbime publike që të jepen sipas nevojës, ata i ofrojnë sipas mundësisë për t’i paguar”, tha Rama.
Rama theksoi se për hartimin e programit të PS-së janë angazhuar 900 ekspertë të fushave të ndryshme, të cilët kanë nxjerrë në pah një sërë aspektesh dramatike në ekonominë shqiptare.
“Në rrugën e programit kanë dalë qartë një sërë aspektesh dramatike të jetës së vendit. Ulja e taksave që propozon kryeministri është ulje për ata që janë vetëm 5 për qind e komunitetit të sipërmarrësve dhe barrë e shtuar për pjesën tjetër. 95 për qind të shqiptarëve, taksa e sheshtë u bën të pabërën. Nuk mundet që një biznes i vogël të paguajë taksa si një korporatë. Qeveria lufton për të qëndruar aty duke mbingarkuar më të dobëtit”, tha Rama.
Rama u ndal më tej në shfrytëzimin barbar të pasurive natyrore të vendit, duke u ndalur veçanërisht te Kruja dhe Bulqiza. “Kruja dhe Bulqiza. Ajo që po ndodh me zemrën e historisë së Shqipërisë është diçka që asnjë pushtues nuk mund t’ia bënte Shqipërisë”, tha Rama.