Me një parakalim në qendër të Prishtinës, Kosova sot shënoi ditën botërore të autizmit. Njëkohësisht me këtë manifestim filloi edhe një seri veprimtarish në përpjekje për vetëdijesimin e shoqërisë rreth kësaj çështjeje.
Kryetari i Shoqatës “Autizmi”, shoqatë kjo e krijuar nga prindërit me fëmijët e prekur nga autizmi, Cen Krasniqi, thotë se ende nuk ka ndonjë të dhënë të saktë për numrin e fëmijëve të prekur në Kosovë, meqë shumë prindër të fëmijëve me këtë sindromë, më dyshen që të përballen hapur me problemet e tyre.
“Mjerisht unë i njoh rreth dyzet fëmijë dhe familje me autizëm, që do të thotë se numri sigurt është 30 herë më i lart, por prindërit hezitojnë ta pranojnë, së pari ndaj vetes pastaj edhe disa nuk kanë elemente vlerësimi. Pastaj edhe po ta dinë hezitojnë sepse paramendojnë se mos është faji i tyre që fëmija është i tillë, prandaj këtu ka të bëjë edhe me mentalitetin e shoqërisë. Qëllimi ynë është largimi i këtyre dogmave dhe për t’i afirmuar këta fëmijë dhe prindërit e tyre që janë familje me nevoja më specifike”, tha zoti Krasniqi.
Ministri i Shëndetësisë Ferid Agani, tha se vështirësitë financiare të Kosovës kanë bërë që të kufizohen edhe mundësitë e përballjes me sfidat e shumta shëndetësor.
“Por, megjithatë përkushtimi, motivacioni, vullneti dhe vizioni ynë që me këto probleme të merremi në mënyrë sistematike, profesionale në një mënyrë gjithëpërfshirëse dhe jo me improvizime është shumë e vendosur dhe mendoj se ky përkushtim dhe kjo dëshirë nga viti në vit do të jetë më i fuqishëm”, tha ministri Agani.
Sipas, udhëheqësve të shoqatës “Autizmi”, sfidë mbetet vetëdijesimi për personat e prekur me këtë sindromë, aftësitë e tyre dhe përpjekjet për integrimin e tyre në sistemin e rregullt edukativ./VoA/