Në luftën kundër piratëve informatikë Shtetet e Bashkuara nuk po fitojnë. Kriminelët e internetit janë shumë të talentuar, ndërsa masat për t’u mbrojtur nga sulmet e tyre janë shumë të dobëta”.Deklarata, përmes të cilës është bërë një “fotografi” e përpjekjeve të amerikanëve kundër hakersave, është bërë nga Shawn Henry, numri 1 i FBI-së për krimet e internetit. Në një intervistë për “Wall Street Journal”, Henry vlerëson se ndërmarrjet duhet të bëjnë ndryshime të rëndësishme në mënyrën e përdorimit të rrjeteve kompjuterike, për të shmangur dëme të mëtejshme ndaj ekonomisë dhe sigurisë. “Ndërmarrjet duhet të heqin nga rrjetet e tyre të dhënat me vlerën më të madhe dhe të zhvillojnë një strategji sigurie kompjuterike”, ka thënë Henry. Zyrtari i lartë po bëhet gati të largohet nga Byroja Federale e Hetimeve pas 20 vjetësh shërbim, për t’u angazhuar në një shoqëri private si përgjegjës për sigurinë informatike. Kriminaliteti informatik, që vjen si pasojë e zgjerimit masiv të përdorimit të internetit për shërbime të ndryshme, është një nga format e krimit që po lulëzon në mbarë botën. Qendra kryesore e hakersave, sipas autoriteteve policore ndërkombëtare, është një qytezë në Rumani, nga e cila kryhen sulme të ndryshme në rrjetet e të gjithë planetit.
tch
tch