Mbytja e Titanikut mbetet një nga dramat më të mëdha të shekullit 20. Është një mister që ka zhytur në mendime shkencëtarët dhe historianët për vite të tëra. Ka sërish një aura misteri që mbetet mbi fatin e anijes. Fotot e reja që do publikohen në prill 2012 nga revista ‘National Geographic’ do u ofrojnë lexuesve një pamje se si duket sot anija e mbytur. Fotot janë realizuar nga grupi Woods Hole Oceanographic dhe pritet të publikohen në 100 vjetorin e mbytjes së anijes. Bëhet fjalë për një punë disamujore, që ka kushtuar disa miliona dollarë.
Ato pritet të ofrojnë edhe të dhëna më shumë për studiuesit për të kuptuar se çfarë ndodhi më 15 prill 1912.
Historia e katastrofës është tashmë shumë e njohur. Anija u nis nga Southampton, Angli për një udhëtim drejt New York-ut.
Pavarësisht se ishte shpenzuar shumë për dekorimin e anijes, e cila do ofronte dreka e darka luksoze për pasanikët, teknologjia nuk ishte e mjaftueshme për të shmangur përplasjen me ajsbergun.
Edhe pse ajsbergu u pikas dhe u njoftuan oficerët në detyrë, anija ishte shumë e madhe për tu kthyer dhe për të shmangur plotësisht përplasjen.
Ekspertët besojnë se nëse anija do ishte përplasur nga përpara me ajsbergun, do kishte mbijetuar. Por ajsbergu e goditi atë anash duke i hapur vrima fatale.