Në ditët e sotme, kur asnjë gazetë nuk shkruan për heronjtë kombëtarë, ata të popullit, e njerëz që kanë dhënë kontribut për përparimin e Shqipërisë, vërehet një harresë e qëllimtë ndaj tyre, por e
kanë shumë më lehtë të shkruajnë gjithë ditët e Zotit për politikanë e politika të errta, për artistë artiste që përveç trupit nuk shesin asgjë, për analistë e gazetarë të blerë e të shitur sipas sezonit të fushatës, për TV dhe media të tjera që nuk intervistojnë dhe komentojnë asgjë tjetër për shqiptarët përveçse se si e kroi kokën kryeministri apo si e tha batutën kryetari i Bashkisë, etj., etj.
Ç ’ndodhi si sot me 22 Prill 1924? U vra Avni Rustemi, hero i Popullit. Ç’ndodhi si dje më 29 Mars 1925? U vra Bajram Curri, Hero i Popullit. Ç’ndodhi si dje më 14 gusht 1933 në Selanik? U vra Hasan Prishtina (Berisha).
Kjo është Harresa, vrastarja e historisë së Shqipërisë.
Sot, u mbushën 87 vjet kur dora vrastare e Isuf Reçit spiunit të Ahmet Zogut (atë muaj Ahmet Zogu ishte Ministër i Punëve të brendshme, sepse në janar të 1924 kishte dhënë dorëheqjen si Kryeministër duke ja lënë vendin vjehrrit të tij Shefqet Vërlacit sepse sapo ishte fejuar me të bijën e tij 15 vjeçare-Fatimen, të cilën e braktisi kur u rifejua dhe pastaj u martua me Konteshën katolike Geraldina D’Apony, duke shkaktuar gjithashtu më vonë një armiqësi për vdekje me ish-vjehrrin e tij), plagosi rëndë në kraharor me dy plumba Mësuesin e nderuar dhe trim, heroin e popullit Avni Rustemin, deputetin e Hasit (ish Prefektura e Kosovës) me dt. 20 prill 1924 në 12 të drekës kur ai po ecte në një nga rrugicat e Tiranës (sot pazari i ri) në prani të Kadri Hoxhës (një mikut të Isuf Reçit, spiun dhe ai i ministrit të Brendshëm të asaj kohe).
Dy ditë më vonë, Avni Rustemi vdes në spitalin e Tiranës nga hemorragjia pulmonare. Po me dt. 20, pasi e çuan në Spital opozita politike shqiptare akuzoi qeverinë e kryeministrit Shefqet Vërlacit për këtë akt, dhe refuzoi të marrë pjesë në punimet e Asamblesë Kombëtare (Parlamentit). Para se të vdiste, ai la amanet që të varrosej në qytetin e Vlorës. Varrimi u bë më 1 maj në qytetin e Vlorës ku morën pjesë mijra vetë nga i gjithë vendi me në krye opozitën e asaj kohe. Varri i tij gjendet pranë varrit të plakut të urtë, Ismail Qemali.
Mjafton të shohësh fotografi të botuara në shtypin e kohës, veç plot e plot artikujve, për t’u bindur se ishin me mijëra ata qytetarë tiranas që u mblodhën në shesh, sot të quajtur “Skënderbej”, për të përcjellë arkivolin e Avni Rustemit nga Tirana në Durrës e nga Durrësi me anije në Vlorë, ku me mijëra të tjerë, të ardhur nga të katër anët e Shqipërisë, me dhembje të thellë morën pjesë në ceremoninë e varrimit të birit të tyre të shtrenjtë. Avni Rustemi ishte bir i Shqipërisë, ishte dhe bir i Kosovës së martirizuar nga shovinistët serbo-malazezë, që i kishte demaskuar në sa e sa fjalime në Parlament.
Sa për ta kujtuar, Avni Rustemi lindi në Libohovë të Gjirokastrës më 1895, në një familje atdhetare. Mësimet fillore i mori në vendlindje, vazhdoi në normalen e Elbasanit dhe më vonë në Shën Mitër Korone (Itali), kurse studimet e larta për pedagogji i filloi në Universitetin e Romës. Ndërkohë Avni Rustemi punoi si mësues në Libohovë (1910), në Tragjas të Vlorës (1913), në Tepelenë (1916-1917) e në Vlorë (1917-1918). I rritur dhe i edukuar në një mjedis atdhetarësh, Avni Rustemi u shqua si veprimtar me armë në dorë për lirinë, pavarësinë e tërësinë territoriale të Shqipërisë. Më 1908 braktisi bankat e shkollës për t'u bashkuar me çetën e Çerçiz Topullit , më 1910 bëri një përpjekje për të vrarë në Shkodër komandantin e ekspeditës ushtarake osmane gjeneral Shefqet Turgut pashën. Më 1914 u radhit në forcat shqiptare për çlirimin e Shqipërisë së Jugut nga pushtimi i forcave greke. Më 1918, me nismën e tij u formua në Vlorë shoqëria atdhetare e rinisë vlonjate me emrin "Djalëria e Vlorës". Në krye të saj organizoi demonstratën anti-imperialiste të 28 Nëntorit 1918 kundër pushtuesve italianë. Në pranverë të vitit 1919 në Shën Mitër krijoi "Lidhjen e Rinisë Shqiptare" për mbrojtjen e të drejtave kombëtare, kurse më 13 qershor 1920 vrau me atentat në Paris Esat Pashë Toptanin, politikan me botëkuptime feudale, një tradhtar klasik të shitjes së interesave të vendit për para. Akti heroik i Avni Rustemit në Paris, nuk ishte një atentat i thjeshtë, ai nuk kishte karakter terrorist, apo anarkist, por një akt heroik kundër feudalëve me shumë padronë që Shqipërinë e shihnin si një tavë kosi për ta ngrënë mes tradhtarësh. Me t'u kthyer në Shqipëri, në dhjetor 1920 ai filloi punën për bashkimin e shoqërive demokratike ekzistuese në një organizatë të vetme. Kongresi i mbajtur më 25 prill 1921 në Vlorë krijoi një shoqëri që mori emrin federata "Atdheu". Kryetar nderi i saj u zgjodh Avni Rustemi. Me nismën e tij u krijuan dhe organizata profesionale të mësuesve. Pas mbylljes së federatës "Atdheu", në gusht 1922 përsëri me nismën e Avni Rustemit më 13 tetor 1922 u krijua në Tiranë shoqëria demokratike "Bashkimi". Avni Rustemi nuk qe vetëm organizatori kryesor i shoqërive demokratike, por edhe një ndër ideologët më të shquar demokratë. Idetë e tij, të formuluara në një sërë fjalimesh e artikujsh publicistikë u bënë armë e fuqishme në duart e rinisë demokratike e të masave të shtypura punonjëse. "Kur qeveria, nuk plotëson nevojat më me rëndësi që ka kombi, - thoshte ai, atëherë kjo nevojë duhet të realizohet me interesimin e pjesës së organizuar të popullit e ta bëjmë ne qeverinë që ta ndjejë këtë nevojë". Daljen e vendit nga prapambetja Avni Rustemi e shikonte në zhvillimin e ekonomisë së pavarur kombëtare. "Pa pavarësi ekonomike, - shkruan ai, - nuk mund të ketë pavarësi politike". Idetë e tij demokratike e revolucionare ai i shprehu edhe në Asamblenë Kushtetuese të vitit 1924, ku u zgjodh deputet nga populli i ish-prefekturës së Kosovës. Ai kritikoi me guxim shpërdorimet e aparatit burokratik të kohës, fodullëkun e injorancën e klasave sunduese reaksionare dhe mbrojti me zjarr traditat e popullit tonë dhe të drejtat e shqiptarëve që jetonin në trojet e veta në Jugosllavi. Në kushtet e ashpërsimit të kontradiktave klasore e politike të vendit, reaksioni çifligar me Ahmet Zogun në krye organizoi vrasjen e Avni Rustemit më 22 prill 1924. Me këtë akt reaksioni synonte të godiste lëvizjen demokratike-borgjeze në ngritje. Vrasja e udhëheqësit të shquar të Lëvizjes demokratike shërbeu si shkëndijë e revolucionit që triumfoi më 10 qershor 1924. Atdhetar e demokrat revolucionar i shquar, udhëheqës i shoqërisë demokratike "Bashkimi", pjesëtar i opozitës demokratike në Asamblenë Kombëtare në prag të Revolucionit të Qershorit 1924. Sot është Hero i Popullit.
Vrasja e tij shërbeu si shkëndijë për revolucionin demokratiko-borgjez të qershorit sepse regjimi i mazhorancës ekzistuese me në krye Shefqet Vërlacin kryeministër nuk duhej të vazhdonte qeverisjen pikërisht sepse vetë Ahmet Zogu në janar dha dorëheqjen për shkak të rëndimit të gjendjes politike dhe ekonomike –financiare të vendit, por në vend që të shpallte zgjedhje të parakohshme ai bëri një manovër politike duke dhënë dorëheqjen, duke vendosur Shefqet Vërlacin kryeministër por duke mbajtur për vehte postin e ministrit të Brendshëm pikërisht për të eliminuar kundërshtarët e tij politikë. Vrasja e Avni Rustemit nga Isuf Reçi (ekzekutuar nga partizanët më 1944) ishte pika që derdhi gotën e paudhësive të qeverisë profeudale, arrogante, shkelëse e ligjit të atëhershëm, dhe e paaftë për të drejtuar vendin në atë kohë.
Pas mitingut më 1maj 1924, deputetët e opozitës dhe përfaqësues të krahinave të ndryshme organizuan një kuvend të përgjithshëm. Punimet e tij u zhvilluan në 2 maj në ambientet e hotelit “Iliria”. Kuvendi i dërgoi dy ultimatume qeverisë nëpërmjet të dërguarit të saj në Vlorë, Eqerem Vlorës. Pas heshtjes së saj, shoqëria “Bashkimi” i drejtoi në datën 5 maj nga qyteti i Vlorës një thirrje gjithë rinisë shqiptare. Me anë të saj e ftonte rininë në kryengritje të armatosur kundër regjimit politik. Dihet që Eqerem bej Vlora ka mbajtur një qëndrim armiqësor ndaj Avni Rustemit dhe ka shkruar kundër tij. Më 9 qershor nis revolucioni sepse shumica e krahinave dhe e qeveritarëve lokalë nuk e njohën qeverinë aktuale të Shefqet Vërlacit, i cili dha dorëheqjen dhe Ahmet Zogu u arratis në Jugosllavi.
Me 16 qershor u formua qeveria e Fan Nolit e cila shpalli Programin e saj me 19 qershor, një program shumë i avancuar (një nga pikat ishte: çrrënjosja e feudalizmit në vend, dhe reforma agrare). Fan Noli dhe qeveria e tij nuk patën mundësinë të realizonin programin për shkak të problemeve të brendshme dhe të mungesës së përkrahjes së jashtme. Qeverisja 6 mujore e Fan Nolit përfundoi në dhjetor të 1924 për shkak se forcat e Ahmet Zogut të përkrahura nga mercenarët serbë dhe rusë të bardhë të dhënë nga Pashiç, ndërhynë brutalisht duke larguar një qeveri demokratike por pa eksperiencë. Sidoqoftë aspiratat dhe dëshira për një vend europian të qeverisë së Fan Nolit ishin ato që kishte ëndërruar dhe Ani Rustemi pavarësisht se nuk u realizuan. Ashtu si u vra Avni Rustemi, u vranë në atentate të veçanta deputetët e tjerë me urdhër të Ahmet Zogut: Luigj Gurakuqi (1925), Bajram Curri (29 mars 1925, vrau vehten për të mos rënë në dorë të forcave zogiste), Hasan Prishtina (apo Berisha në Selanik nga një shqiptar në 1933).
Dikush, si Eqrem bej Vlora barazon atentatin ndaj Esat Pashës me atentatin ndaj Ahmet Zogut të kryer nga Beqir Valteri me 24 shkurt 1924 në të cilin ai plagoset. Duket që armiqësia e tij me Avni Rustemin (bashkëmoshatar me Ahmet Zogun) nuk njeh kufi kur krahason motivet. Megjithatë historia i la piedestalin e Heroit të Popullit Avni Rustemit, kurse hakmarrës të çmendur si Eqerem bej Vlora historia i la në postiqen plakut inatçor e impotent.