Njëri nga themeluesit e Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe ish-drejtuesi i “Vendlindja Thërret”, Ibrahim Kelmendi, ka bërë të martën denoncim me shkrim në Prokurorinë e Përgjithshme të Republikës se Kosovës, lidhur me vrasjen e heronjve Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla, nga siç ka thënë ai, Riza Salihu.
“Meqë denoncimet e herë pas hershme publike nuk kanë lëvizur deri tani organet e hetuesisë dhe të gjyqësisë se Republikës se Kosovës, për të nis hetimet për vrasjen e Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallës, po ndjehem i detyruar të paraqes denoncim me shkrim pranë prokurorive të sipërpërmendura, shkruan Kelmendi në denoncimin e tij dorëzuar në prokurori.
“Qysh me datën 18 janar 1982, pranë hetuesisë gjermane kam shfaq dyshimet se doras potencial i UDB-së në vrasjen e heronjve Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla është Riza Salihu (i lindur në fsh. Mushitishtë, Komuna e Therandës) dhe bashkëvrasësesi N.N. Këtë e kam paraqit edhe para Landgericht (Gjyqi i Qarkut) në Shtutgard, në vitin 1990, kur Riza Salihut i është bërë procesi gjyqësor, si i dyshuar për vrasjen e heronjve Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla”.
Arsyetimet e atëhershme (dhe të tanishme):
1. Në vitin 1978 Riza Salihu, ka formuar “Grupin Komunist Zëri i Kosovës”. Dyshimi im i atëhershëm dhe i tanishëm: Eprorët e UDB-së e kanë urdhëruar të formojë atë grup, për të identifikuar të interesuarit për veprimtari patriotike e çlirimtare në Gjermani dhe në Kosovë. Veten e tij Riza Salihu e ka caktuar për kryetar të atij grupi. Dëshmitarë për themelim të atij grupi është vet Riza Salihu, pastaj anëtarët Hysen Gega (i lindur dhe me banim në Sallagrazhdë, Lumthat), Maksut Saramati (Zhur, tani në Gjermani), e të tjerë.
2. Qysh në dhjetor të vitit 1979, sapo Jusuf Gërvalla është arratisur në Gjermani, Riza Salihu kohën më të madhe e ka kaluar në stacion të trenit në Shtutgard të Gjermanisë, duke dezinformuar bashkatdhetarët se “UDB-ja ka dërguar udbashin e rrezikshëm Jusuf Gërvalla, për të spiunuar shqiptarët patriot dhe për të përçarë organizatat ilegale...”. Dëshmitarë Hysen Gega, Maksut Saramati dhe dhjetëra të tjerë.
3. Në janar të vitit 1980 Riza Salihu, në cilësi të kryetarit të grupit dhe “në emër të organizatës”, e urdhëron Hysen Gegen për ta vrarë Jusuf Gërvallën, me arsyetim se është UDBash i rrezikshëm. Dëshmitarë unë (Ibrahim Kelmendi), Hysen Gega, Maksut Saramati.
4. Po në janar të atij viti, Hysen Gega, i bindur se Jusufi nuk është i dërguar nga UDB-ja, i bazuar kryesisht në miqësi dhe bashkëpunim me Bardhosh Gërvallën në vitet paraprake, dekonspiron urdhrin e Riza Salihut para Jusufit, Bardhit dhe Ibrahim Kelmendit.
5. Në qershor të po atij viti, pas hetimeve që bëjnë Jusufi, Bardhi, Hyseni, Maksuti, Ibrahimi, organizohet ballafaqimi mi Jusufit dhe Riza Salihut në banesë të Hysen Gegës në qytetin Esslingen, për të marrë vendim se çfarë qëndrimi duhet të mbahet ndaj atij urdhri. Të pranishëm në ballafaqim Jusufi, Bardhi, Ibrahimi, Hyseni dhe Maksuti. Jusuf lut që t’i falet krimi Rizasë, me kusht që ndërpres fushatën shpifëse.
6. Në korrik e gusht Riza Salihu organizon vjedhjen e dërgesave postare të Jusuf Gërvallës, Ibrahim Kelmendit dhe të tjerëve. Policia gjermane e zë në flagrancë. Prova: Protokollet e policisë gjermane në Shtutgart.
7. Edhe pasi Riza Salihu ka pranuar kushtin gjatë ballafaqimit me Jusufin, se nuk do të shpif më, ai ka vazhduar me shpifje, se Jusuf Gërvalla është UDBash. Dëshmitarë, pos të më lartë përmendurve, edhe dhjetëra bashkatdhetarë në Shtutgart e rrethinë.
8. Në tetor (tamam koha nuk po me kujtohet) të vitit 1980, me insistim të shumë anëtarëve të “Grupit Komunist Zëri i Kosovës”, shpërndahet ky organizim dhe po në prani të tyre digjet “dokumentacioni” i këtij organizimi, por digjen kryesisht kopjet, sepse origjinalet Riza Salihu nuk i kishte më. Dëshmitarë: Unë, Hysen Gega, Maksut Saramati, Fahredin Tafallari dhe disa të tjerë. I pranishëm ka qenë edhe Jusuf Gërvalla.
9. Riza Salihu edhe pastaj, - edhe pas vrasjes se Jusuf Gërvallës, - ka vazhduar të shpif (dhe vazhdon edhe tani), se Jusuf Gërvalla është kuadër i UDB-së. Dëshmitarë dhjetëra bashkatdhetarë, por edhe vet Hysen Gërvalla.
10. Pas vrasjes se Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallës, me 18 janar 1982, krye-hetuesi ka biseduar rreth katër orëve me mua në zyrat e policisë në Heilbronn dhe për atë “intervistë“ kam nënshkruar protokoll. Aty i kam shpjeguar rrjedhat, siç i paraqita më lartë.
11. Me 21 janar 1982 policia gjermane ka lëshuar urdhër arresti për Riza Salihun, si të dyshuar për vrasje, duke u bazuar në angazhimet e tij të mëhershme dhe në dëshminë e gjermanit fqinjë të Jusuf e Bardhosh Gërvallës (ndoshta e kanë marrë parasysh edhe informimin tim). Policia gjermane ia ka publikuar foton Riza Salihut në televizione gjermane, duke u lutur qytetarët të informojnë për vendndodhjen e tij. Prova: Arkivat e televizioneve dhe protokollet e policisë gjermane.
12. Në vitin 1989 hetuesia gjermane arrestoi sërish Riza Salihun si të dyshuar për vrasës dhe atij ju bë proces gjyqësor në Gjykatën e Shtutgartit. Edhe unë kam qen i ftuar si dëshmitar. Prova: Lënda e procesit hetimor e gjyqësor në Prokurori e Gjykatës të Shtutgartit.
13. Në vitin 2007 kam botuar romanin ATENTATET, kur e kam paraqit gjithë rrjedhjen e ngjarjeve, para e pas atentatit. Prandaj propozoj që ky roman të merret si provë. Nuk e di para ose pas botimit të romanit jam shkuar në zyra të një kryeprokurori në Kosovë. E kam konsultuar nëse mund të nisin hetimet në Kosovë, duke ia thënë edhe emrin e të dyshuarit për bashkautor të vrasjes. Nga ai kam marrë përgjigje se hetimet i bëjnë vetëm organet e shtetit ku ka ndodhur vrasja, dhe nëse ato na kërkojnë ndihmë, ne jemi të gatshëm dhe të detyruar t’i ndihmojmë. Pastaj kam vizituar ministrin e atëhershëm të drejtësisë, Zotëri Jonuz Salihun, për t’i kërkuar këshilla e ndihmë që të fillojnë hetimet për ato vrasje në Kosovë. Ai me ka thënë se do të konsultohet me këshilltarë profesionalist dhe do me kthej përgjigje, por përgjigje nuk mora asnjëherë.
14. Edhe për shkak të pazotësisë për të bindur organet kompetente në Kosovë që të nisin hetimet, pranova të bashkëbisedoj me Bedri Islamin dhe të denoncoj publikisht Riza Salihun, si vrasës potencial. Prandaj propozoj që edhe libri i Bedri Islamit: “Lëvizja / lindje e përgjakur / bashkëbisedim me Ibrahim Kelmendin” të vlerësohet si provë.
15. Në prononcimet publike të Riza Salihut, të mërkurën e kaluar dhe dje, Riza Salihu thotë se “vrasës tëJusuf Gërvallës, Kadri Zekë dhe Bardhosh Gërvallës kanë qenë dy policë gjerman të policë sekrete gjermane, kurse Ibrahim Kelmendi ka qenë informator i paguar i asaj policie” (perifrazim i përafërt). Kërkoj që këto prononcime të tij të merren si prova.
16. Për shpifjen se unë kam qenë informatorë i paguar i policisë gjermane po i bëjë kallzim penal (nëse ma pranoni me këtë shkresë).
"Për shkak të interesimit dhe shqetësimeve të mëdha të qytetarëve në Kosovë, për shkak të rëndësisë se zbulimit të dorasëve vrasës të Jusuf Gërvallë, Kadri Zekë dhe Bardhosh Gërvallës, lus që të fillohen hetimet. Para hetuesve kompetent do të bëjë të njohur edhe emrin e të dyshuarit të dytë, si bashkautor në vrasje", shkruan Kelmendi në denoncim.
Ndërkohë Salihu ditë më parë ka hedhur poshtë të gjitha akuzat e Kelmendit dhe e ka akuzuar këtë të fundit për bashkëpunim me ish shërbimin sekret jugosllav (UDB) dhe përzierje në vrasjen e vëllezërve Gërvalla dhe të Kadri Zekës. /Telegrafi/