Prej muajsh, madje prej një viti përpiqesha të ndërtoja një urë ko munikimi me të, por deri para një jave çdo përpjekje më kish rezultuar e dështuar. E si për çudinë time, atëherë kur s’ma priste mendja, telefoni ngrihet dhe Elsa Lila përgjigjet.Zëri i adhuruar nga shumëkush, natyrisht edhe prej meje, më ç’orientoi pak dhe sekondat e para e pata të vështirë të gjeja fjalët e duhura. Por gjithçka u ndreq më tej, komunikimi u bë më i afërt, gati gati miqësor dhe biseda në ato pak minuta shkoi për mrekulli. Sigurisht ju e kuptoni që dëshira ime ishte për të realizuar një intervistë me të, por Elsa më tha se intervista do të ishte më e përshtatshme në një kohë të dytë. Gjithsesi pas insistimit tim, arrita që t’i vjedh disa përgjigje lidhur me ndjesitë që e kanë shoqëruar për herë të parë këto 12 muaj.Siç dihet tashmë prej një viti, këngëtarja e dashur e skenave tona është bërë nënë. Artistja shumë e njohur e muzikës shqiptare është bërë mama për herë të parë në ditën ndërkombëtare të guas (para 1 viti). Në orët e pasdites së 8 marsit të 2011-ës, Evita i ka dhënë përshëndetjen e parë kësaj bote me të qarën e saj foshnjore. Veç mrekullisë me emrin Evita, këngëtarja Lila, sikundër kemi mësuar është shumë e lumtur edhe që ka gjetur njeriun e zemrës, Alessandron. Takimi me të ka qenë sa i veçantë aq edhe romantik…Përpjekja e saj për t’u shkëputur për pak çaste nga kjo botë e zhurmshme, në një tjetër, ku mbizotëron paqja dhe qetësia e ka njohur me zhytësin profesionist. Një dashuri me shikim të parë në ishullin e Madagaskarit. Pasioni i zhytjes ka qenë ai që i ka bashkuar në një det të tërë fantazish dhe realitetesh. Përpos pasioneve të njëjta, kanë shumë gjëra që i bashkojnë. Karakteri, shpirti i lirë, adhurimi që kanë për fëmijët. Të dashuruar kokë e këmbë pas gjetjes perfekte të njëri-tjetrit, ata bien dakord dhe në një tjetër ide, antikonformizmin që kanë për martesën. Kanë vendosur të mos martohen.Kështu është shprehur edhe vetë Elsa në intervistën e para një viti, e bindur për ritualin e njëjtë të kësaj forme të jetuarit. Megjithatë është e sigurt për diçka tjetër, është shumë e dashuruar, dhe shumë e lumur. Duke u rikthyer tek Evita që këtë javë festoi 1-vjetorin, – emri i së cilës erdhi si një homazh për nënën që aq shumë i ka munguar këngëtares, – Elsa tregon se vogëlushja ia ka ndryshuar kryekëput jetën. “Më duket sikur jam në një tjetër botë, po jetoj një jetë të dytë”, – thotë Elsa, ndërsa fillon të më tregojë axhedën që kanë krijuar për ditëlindjen e saj të parë, këtë 8 mars.“Ishte e kotë të organizonim dreka e darka, ku Evita nuk do të argëtohej fare, prandaj duke qenë se shumë muaj i ka kaluar në Madagaskar, në mes të natyrës dhe kafshëve nga të cilat është shumë e tërhequr, menduam ta kalonim në kopshtin zoologjik këtu në Romë mes tigrave, xhirafave e elefantëve”, – vijon ajo. Gjatë bisedës telefonike këngëtarja simpatike ka ndarë me ne edhe një sekret të vogël. Për artdashësit largimi i saj nga skena këto vite s’është përqafuar fort, ama lajmi i mirë është që ajo do të rikthehet.Shumë shpejt madje. Ajo do të vijë me një projekt muzikor, pjesë e të cilit do të jetë edhe engjëlli i saj. Aktualisht Elsa është zhvendosur në Itali, ndërkohë që jeta e saj është ndarë mes dy kontinentesh, Afrikës dhe Europës. Përpara se të përshëndetemi, Elsa thotë: “Mund të shtosh edhe një detaj të vogël, për të cilin ndihem krenare.Evita ime, edhe pse 1 vjeç akoma pi qumështin e gjirit tim, natyrisht krahas ushqimeve të tjera që ha”, – shton këngëtarja duke më treguar sakaq edhe për tiparet e së bijës që si çdo fëmijë është shumë e bukur. “Evita ka sy të mëdhenj blu, flokë ngjyrë gruri, është komike si tip, ekspresive dhe shumë e lëvizshme”, – thotë Lila, duke më dhënë mua kështu katalizatorin për pyetjen pasuese: – “Kujt i ngjan më shumë vajza?”. “Është një miks midis meje dhe Aless. Sytë blu për fat të mirë i ka nga i ati. Megjithatë një miku ynë, piktor i njohur dhe natyrisht me një sy të rafinuar estetik kur na pa së bashku, tha: Evita është si Elsa me ngjyra, Elsa si Evita bardh e zi”, – përfundon këngëtarja e dashur dhe e suksesshme.E kështu, me lumturinë që na e besoi ne këtë rrëfim të parë pas lindjes së vajzës, ndonëse jo të plotë, po e mbyllim këtë shkrim, duke pritur plot kërshëri suprizën e saj të madhe, ku shpresojmë të zbulojmë edhe portretin e vajzës së vogël…Deri atëherë i urojmë Elsës, Evitës dhe Alessandros të kalojnë ditë të qeta e të gëzuara…
(er.nu/Bluetooth/BalkanWeb)
(er.nu/Bluetooth/BalkanWeb)