Një balenë gjigante e gjetur e ngordhur po shkakton habi mes njerëzve në plazhin e Linkolnshajërit në Angli, transmeton Starti njoftimin e medieve angleze.
Turma njerëzish të interesuar u mblodhën sot për të parë kafshën 10.7 metra të gjatë, e cila u gjet të dielën.
Por ata u zmbrapsën nga era e keqe që vinte nga kufoma gjigante. Balena mendohet se ka ngordhur para disa ditësh, ndërsa në pjesën e sipërme të trupit të saj kishte të çara të mëdha.
Autoritetet lokale thanë se do ta mbulojnë kërmën 30-tonëshe me rërë derisa të gjejnë mënyrën për ta zhvendosur përfundimisht nga vendi ku ndodhet.
“Kufoma po dekompozohet dhe era sa vjen e bëhet më e padurueshme”, tha një drejtues i pushtetit lokal. “Prandaj do ta mbulojmë me rërë derisa të kemi mundësi ta largojmë nga plazhi. Me shumë gjasa kjo do të ndodhë gjatë kësaj jave”.
Ekspertët besojnë se balena është përplasur me ndonjë anije dhe prej disa ditësh ka qenë e ngordhur, derisa më në fund doli në breg.
Natyralisti Toni Burges, i cili e pa nga afër balenën e ngordhur, tha: “Kur hyjnë në cekëtina, pesha e trupit që u bie mbi mushkëri ua vështirëson balenave frymëmarrjen. Është e trishtueshme të shikosh të ngordhur një krijesë kaq të madhe sa kjo”.