Të vdesësh, duke u munduar të thyesh një rekord të kotë. Protagonist i kësaj historie është bërë një burrë nga Sri Lanka, i cili humbi jetën, teksa mundohej të thyente rekordin për kohën më të gjatë të kaluar si i varrosur për së gjalli. Janaka Basnayake, 24 vjeç, e varrosi veten në qytezën e Kantales, me ndihmën e familjes dhe miqve në një vrimë të mbyllur me drurë e rërë, në një thellësi 3 metra. Si përfundim s’ka mundur t’i shpëtojë vdekjes.
Në një situatë të tillë, qeveria vendase i ka bërë thirrje publikut të mos përpiqet të ndërmarrë më tentativa të tilla, me rrezik të lartë. Faktikisht, vetë Basnayake s’ishte i ri në sipërmarrje të tilla, përderisa sipas asaj që ka bërë të ditur familja e tij, e kishte provuar edhe dy herë më parë të qëndronte nën tokë, respektivisht 2 orë e gjysmë dhe 6 orë. Mirëpo këtë herë, përpjekja për të thyer ato 6 orët, mesa duket ka rezultuar fatale.