Astronomët kanë krijuar teleskopin më të madh virtual botëror me të cilin janë lidhur katër teleskopë në Kili, ashtu që punojnë si një pajisje. Teleskopët në observatorin Paranel me emrin Very Large Telescope (VLT) formojnë një pasqyrë virtuale me diametër 130 m. Tentimet e mëhershme për t’u lidhur teleskopët, në mars të vitit të kaluar, nuk kanë qenë të suksesshme. Kjo lidhje ishte në sistemin e kontrolleve shkencore – hapi i fundit para fillimit të punëve shkencore.
Lidhja e të katër njësive do t’u japë shkencëtarëve një pasqyrë shumë më të detajuar në gjithësi se sa eksperimentet e mëhershme në të cilat janë përdorur vetëm dy apo tre teleskopë për krijimin e pasqyrës virtuale.
Procesi, sipas të cilit teleskopët lidhen bashkë është i njohur si interferometri. Në këtë mënyrë të punës, VLT bëhet teleskopi më i madh optik në tokë. Përveç krijimit të pasqyrës virtuale gjigante, interferometria po ashtu në masë të madhe përmirëson rezolucionin hapësinor të teleskopit dhe mundësitë e zoomit.
VLT është një nga disa teleskopë në shkretëtirën Atacama të vendosur nga ana e Observatorit jugor evropian (ESO). ESO është organizatë hulumtuese ndërkombëtare me qendrën në Munchen të Gjermanisë, nën patronatin e 15 vendeve anëtare.
Madje edhe para fillimit të operacionit, kur kupola e katër njësive VLT është hapur në majën e shkretuar të malit, entuziazmi ka mbushur dhomën e vogël kontrolluese të observatorit Paranal. “Kjo ishte natë e veçantë”, ka thënë një nga astronomët. Kreu i stabilimenteve në Pranal, Frederic Gonte, e ka quajtur ngjarjen “moment historik në përpjekjet tona për të zbuluar sekretet e hapësirës”.
“Ky është hap jashtëzakonisht i rëndësishëm sepse tani jemi të sigurt që jemi të gatshëm për shkencë të vërtetë”, ka thënë ai për BBC News. “Prej tani, do të jemi në gjendje t’i vështrojmë gjërat të cilat nuk kemi mundur më herët”.
Për lidhjen e njësisë VLT, ekipi i astronomëve dhe inxhinierëve ndërkombëtar ka përdorur instrumentin e quajtur Pionier, i cili zëvendëson shumë pasqyra me një mikroçip optik.
“Edhe pse përpjekja e parë për të kombinuar katër teleskopët ishte në mars të vitit 2011, ajo nuk ka pasur sukses”, ka thënë Jean-Philippe Berger, astronomi francez i përfshirë në projekt. “Por, këtë herë, ka qenë mjaft e qartë që të gjitha instrumentet punojnë siç duhet”, ka shtuar ai.
“Herën e fundit, kushtet atmosferike dhe vibracionet në sistem ishin aq të këqija sa që të dhënat ishin thjesht të padobishme”, ka përkujtuar ai. Jemi dorëzuar pas një gjysmë ore, duke e ditur që kjo nuk do të përmirësohet”. Duke shtuar që prej tani, sistemi i ri do t’i ofrohet komunitetit astronomik; cilido astronom që punon në Paranal apo viziton observatorin do të mundet ta përdorë.
Interferometri VLTI ose VLT përdoret që nga viti 2002 për lidhjen e deri tre teleskopëve VLT, si dhe katër teleskopëve të vegjël ndihmës që gjenden në platformën e njëjtë në malin Cerra Paranal, në lartësinë 2,635 mbi nivelin e detit.
Pjesa përbërëse kryesore e teleskopit optik është pasqyra, ndërsa drita e cila vjen nga objekti i caktuar i shikuar me teleskop të ndarë, së pari refuzohet nga pasqyrat individuale. Në rastin e VLT-së, rritja e aftësive të zoomit bëhet gati 20 herë më mirë. Edhe pse pasqyra më e madhe “virtuale” me dimension 130 m tashmë është arritur me lidhjen e dy teleskopëve më të larguar nga njëri-tjetri në Paranal, përdorimi i të katër njësive u jep astronomëve disa përparësi.
“Sa më shumë teleskopë, aq më mirë – dëshirojmë të rrisim efikasitetin e rekonstruktimit të imazheve për të vëzhguar objekte më komplekse në qiell”, ka thënë Berger. “Me dy teleskopë zakonisht shikoni yjet e rrumbullakët ose binarë ku mund të matni largësinë në mes dy yjeve. Me katër teleskopë, mund të filloni të mendoni për yjet e trefishta apo yjet e reja të rrethuara me disk protoplanetar – diskun nga pluhuri dhe gazi i cili i përbën planetët. Tani sasia e objekteve në dispozicion për ne do të jetë shumë më e madhe.”